Kosovë, Vetëvendosje dhe PDK-ja përplasen për zgjedhjet

Përfaqësuesit e Lëvizjes “Vetëvendosje” kanë bojkotur dje Komisionin për Amendamentimin e Ligjit për Zgjedhjet në Kosovë, duke shprehur pakënaqësi me përfaqësuesit e koalicionit. Largimi i përfaqësuesve të Vetëvendosjes ka ardhur pas votimit të disa rekomandimeve, ku partitë në pushtet nuk ranë dakort që Gjykata Supreme të jetë i vetmi organ që të ketë të drejtë të marrë vendim për rinumërimin e votave dhe anulimit të tyre.
Po ashtu partitë në pushtet nuk kanë rëndë dakort edhe me rekomandimin që Gjykata Supreme, të jetë i vetmi institucion që jep fjalën përfundimtare për ankesat që kanë të bëjnë me zgjedhje. I pari që ka reaguar është Imri Ahmeti nga LDK-ja, i cili ka thënë se nuk ka nevojë që për ndryshime të vendoset politikisht.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Albulena Haxhiut nga “Vetëvendosje” e cila ka thënë se kjo që po ndodh në komision është shumë e padrejtë. “Komisioni është formuar me qëllim për të ndaluar manipulimin, mirëpo nuk po bëhet asnjë gjë për ta ndalur atë sepse po votohet politikisht”, ka thënë Haxhiu.
Nga ana tjetër anëtari i PDK-së në këtë komision, Halit Krasniqi ka thënë se në këtë komision nuk duhet të flitet emocionalisht por aty duhet të dëgjohen arsyet, propozimet, konceptet, idetë etj, shkruan Zëri.