Dialogu Prishtinë-Beograd, Hilari Klinton i telefonon Boris Tadiç

Sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç për ecurinë e dialogut teknik Beograd-Prishtinë.
Kjo bisedë vjen në prag të vendimit të Brukselit mbi marrjen e statusit të vendit kandidat në BE nga ana e Serbisë, një vendim që pritet të merret në muajin mars.
Shefja e diplomacisë amerikane mësohet t`i ketë bërë apel Serbisë që të vazhdojë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pohohet në një komunikatë të zyrës së shtypit të kryediplomates amerikane, e cituar nga Kosovapress.
Sekretarja amerikane e Shtetit Hilari Klinton garantoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme të ndihmojnë të dyja palët në zgjidhjen e çështjeve mes tyre.
Ndërkohë, pak ditë më parë edhe zëvendës ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Filip Riker, gjatë vizitës në Beograd theksoi se SHBA-të e konsiderojnë tejet të rëndësishëm vazhdimin e dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai u bëri thirrje si Prishtinës dhe Beogradit të tregojnë fleksibilitet dhe kreativitet në funksion të normalitetit të marrëdhënieve të të dyja vendeve.