E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Dialogu me Shqipërinë" ndalon në Pogradec e Bitinckë

I pandikuar nga debatet e ditës, kreu i socialistëve, Edi Rama, vijoi edhe dje turin "Dialog me Shqipërinë". Ndalesa e radhës e liderit të opozitës ishte qyteti i Pogradecit dhe fshati Bitinckë. Në fjalën e tij, nënvizoi faktin se nuk mund të humbet ky shans e nuk duhet të dorëzohemi përpara murit që ka ngritur politika e vjetër. Duke e parë nga afër jetën e fermerit dhe të fshatit në përgjithësi, Rama kërkoi një bashkim të ri për të mundur varfërinë dhe pamundësinë e nxitjes së punësimit në këto zona, të cilat duken të shkreta dhe gjithnjë e më shumë të mjeruara. Kryetari i PS-së shtoi se interesat e politikanëve nuk mund të dëmtojnë interesat e qytetarëve dhe politika e politikanëve duhet t‘ia lërë vendin politikës së qytetarëve. "Politika nuk është kjo, politika është diçka tjetër, është pasioni për të ndryshuar realitetin që na rrethon, është mundësia që na jepet, që këtë pasion ta kthejmë në fuqi të jashtëzakonshme", theksoi Rama. Sipas tij, është koha e të gjithë atyre që përpara se të jenë socialistë e demokratë, janë shqiptare e shqiptarë, që duan të jetojnë me dinjitet, që duan dinjitet për të moshuarit. "Ne u kemi borxh atdheun fëmijëve tanë dhe duam t‘ua kthejmë. Ne u kemi borxh një qytetarizëm evropian, të parëve tanë, atyre që u sakrifikuan, që u vranë, që u martirizuan, atyre që nuk mundën ta jetonin dot lirinë", tha Rama. Ai dhe deputetët socialistë që e shoqëronin kanë përsëritur qëndrimin se përmes një bashkimi të ri të të gjithë shqiptarëve do të bëhet i mundur ndryshimi dhe mirëqenia e gjithsecilit që kërkon të jetojë me punë të ndershme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›