Lesi: Topi të japë dorëheqjen po iu ulën kompetencat
Kreu i Lëvizjes Demokristiane, deputeti, Nikollë Lesi, është shprehur dje në Kuvend kundër ndryshimeve kushtetuese, të propozuara nga PD-ja për zgjedhjen e Presidentit. Me tone të forta, Lesi ka deklaruar se "ndryshimet e propozuara nga PD-ja për zgjedhjen e Presidentit, bien ndesh me frymën e 3 korrikut". Ai i ka kujtuar kreut të qeverisë se pak kohë më parë është shprehur publikisht se Presidenti duhej të zgjidhej nga populli dhe këtë premtim duhet ta mbajë, ose tha Lesi, Kryeministri Berisha le të dalë sërish para shqiptarëve dhe të thotë se ka ndryshuar mendje. Nuk mund të pranojmë, ka theksuar më tej deputeti Lesi, që Presidenti me shumicë të thjeshtë, ashtu siç e parashikojnë amendamentet e PD-së. "Presidenti të zgjidhet nga populli, ose siç parashikohet në procedurën e sanksionuar në Kushtetutë me 3/5 e votave të deputetëve", ka deklaruar Lesi. Nëse nuk arrihet kjo, është shprehur Lesi, "atëherë po i kërkoj publikisht Presidentit Topi që të japë dorëheqjen nga posti i Presidentit të Republikës dhe të rikthehet pranë PD-së për të luftuar krimin dhe klanet korruptive që po i marrin frymën këtij vendi". Një ditë më parë, në Komisionin parlamentar të Ligjeve, PD-ja paraqiti një projektligj për amendimin e disa neneve të Kushtetutës, që lidhen me zgjedhjen e Presidentit të Republikës, mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe një ndryshim lidhur me mocionin ndaj Kryeministrit. Gjithashtu Lesi ka deklaruar se politika shqiptare ndodhet në krizë për sa i takon reformës zgjedhore. "Unë, tha Lesi, mbetem partizan i idesë që në vendin tonë duhet të aplikohet sistemi mazhoritar i pastër, pra nga 140 deputetë të kemi 100 deputetë, të cilët të dalin në zona të drejtpërdrejta dhe kush të jetë i zoti le të fitojë". Aktualisht reforma zgjedhore po diskutohet në Komisionin e Ligjeve. Puna ka nisur me propozimet e bëra nga PS-ja, e cila është për sistem proporcional rajonal të ndarë në bazë të qarqeve. Ky propozim deri më tani ka gjetur mbështetjen e PD-së por jo të partive të vogla.