E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emërimet politike të Pollos dhe Xhuvelit

Ministria e Arsimit dhe
ajo e Mjedisit janë dy
ministri, ku mund të
gjesh edhe selitë e Partisë Demokrate
të Re (PDR) dhe asaj
Agrare Ambientaliste (PAA).
Shtabet politike të këtyre partive
janë instaluar në administratën
e ministrive përkatëse,
por edhe në drejtoritë e rretheve
që varen nga këto ministri.
Drejtuesit e partive kanë
parcelizuar administratën e
ministrive që drejtojnë, duke
larguar nga detyra specialistët
dhe emëruar militantët e
partive të tyre. Në të dyja këto
ministri është shkelur me të
dyja këmbët ligji për statusin e
Nëpunësit Civil.
Sekretari i Përgjithshëm i
Ministrisë së Mjedisit është z.
Pëllumb Abeshi, i cili njëkohësisht
mban edhe detyrën
e sekretarit organizativ në
PAA. Drejtori i Auditit në këtë
ministri është njëherazi edhe
anëtar i kryesisë së PAA-së dhe
sekretar i degës së kësaj partie
për Tiranën. Ndërsa kryetarja
e Forumit të Gruas në PAA, znj.
Etleva Cane, është drejtoreshë e
Institutit të Mjedisit. Po kështu,
zëdhënësi i partisë, z.Ilirian Qiriari,
është edhe shef sektori në
Ministrinë e Mjedisit. Ndërsa
numri një i administratës në
Ministrinë e Arsimit, sekretarja
e Përgjithshme e kësaj
ministrie, Antoneta Luli, është
anëtare e kryesisë së PDR-së.
Po kështu, një tjetër anëtar i
kryesisë së kësaj partie, si dhe
kandidat për deputet, z.Agim
Duka, mban postin e drejtorit
të Librit Shkollor.
Kurbinin e drejtojnë
"ministritë"
Të gjitha institucionet
shtetërore në Kurbin drejtohen
nga kryetarët e partive të
koalicionit ose aktivistë të tyre.
Ashtu si në qendër, edhe në
rrethe është ndier ndryshimi i
drejtuesve të ministrive. Ashtu
si në Ministrinë e Arsimit, atë
të Punës dhe Shanseve të Barabarta,
në Ministrinë e Mjedisit,
të Shëndetësisë e Mbrojtjes,
erdhën ministra kryetarë të
partive anëtare të koalicionit të
sotëm qeverisës, edhe në bazë
u ndien ndryshimet. Kryetarët
e këtyre partive nëpër rrethe
u bënë drejtorë drejtorish ose
shefa sektorësh, duke zëvendësuar
menjëherë paraardhësit
e tyre. Në Laç janë ndërruar
drejtuesit e spitalit, arsimit,
zyrës së punës, rrugëve rurale.
Arsyeja? Çdo qeveri qeveris më
mirë me të besuarit e saj dhe
njerëzit që kanë aderuar në
partinë e saj.
Kryetari i PDR-së në Kurbin,
Avni Martini, deklaron me
modesti se partia e tij ka vetëm
zyrën e arsimit. Drejtoritë e
tjera i kanë partitë e tjera të koalicionit.
Sipas tij, kjo ka qenë
direktivë e ardhur nga qendra.
Ndërsa sekretari i degës së Partisë
Demokratike të Kurbinit,
Fran Selala, shpjegon se e njëjta
skemë që është ndjekur në
administratën e ministrive në
kryeqytet është ndjekur edhe
në bazë. Pra, drejtori i spitalit të
Kurbinit është z. Nikollë Ndreu,
anëtar i Partisë Demokristiane,
drejtori i arsimit i është lënë
PDR-së dhe z. Pashk Ziu është
shef i kësaj dege. Sigurisht që
drejtor i zyrës së punës është
përfaqësuesi i PBDNJ-së në
Kurbin, z. Gentian Ruka.

EMËRIMET NË KURBIN
-Drejtori i spitalit, Nikoll Ndreu - PDK
-Drejtori i Arsimit, Pashk Ziu - PDR
-Drejtori i zyrës se regjistrimit të pasurive të paluajtshme, Fran Zina - PR
-Drejtori i zyrës së punës, Gentian Ruka - PBDNJ
-Drejtori i rrugëve rurale, Partia Bashkimi Liberal Demokrat (PBLD)
‘EMËRIMET POLITIKE NË MINISTRINË E MJEDISIT
-Lufter Xhuveli, ministër - kryetar i Partisë Agrare Ambjentaliste
-Pëllumb Abesh, sekretar i Përgjithshëm - sekretar organizimi në parti
-Fran Gjini, drejtor i Auditit - anëtar i Kryesisë dhe sekretar për Tiranën
-Etleva Cane, drejtoreshë e Institutit të Mjedisit - kryetare e Forumit të Gruas në PAA
-Sajmir Hoxha, drejtor i politikave të mbrojtjes së natyrës - anëtar i kryesisë së partisë
-Dritan Arapi, kryeinspektor i kontrollit të mjedisit - anëtar i kryesisë
-Ilirian Qiriaqi, shef sektori - zëdhënës i partisë
EMËRIMET POLITIKE NË MINISTRINË E ARSIMIT
Genc Pollo, ministër - kryetar i PDR-së
-Antoneta Luli, sekretare e Përgjithshme - anëtare e kryesisë së PDR
-Agim Duka, drejtori i Librit Shkollor - anëtar i kryesisë dhe kandidat për deputet i PDR-së
-Gjergji Gjinko, shef kabineti në ministri - anëtar i kryesisë
-Ermelinda Muho, zëdhënëse në ministri - aktiviste e PDR-së

Kur shkelet hapur Kodi i Etikës

Pak kohë më parë, "Fiks Fare" denoncoi ndërhyrjen e një
deputeti, letra e të cilit u kushtoi vendin e punës disa
doganierëve. Nuk është hera e parë që "Fiks"-i denoncon
shkarkime të tilla në dogana me letra anonime apo sugjerime
nga deputetët e pozitës.
Po dje, "Fiks Fare" vërtetoi se ligjin, ministrat e sotëm nuk
e zbatojnë njësoj për të gjithë. Ish-punonjësja e doganës së
Gorricës, Manushaqe Kromolli, është filmuar gjatë prezencës
së saj në një komision, në një qendër votimi. Ajo ka qenë jo
vetëm anëtare e komisionit të votimit, por edhe kryetare, si
përfaqësuese e kandidatit të Partisë Demokratike. Edhe kjo
punonjëse e doganës ka shkelur Kodin e Etikës, megjithëse ka
qenë në komision të zgjedhjeve ditën e diel, pra ditën e pushimit,
si të gjithë doganierët e tjerë të shkarkuar pas zgjedhjeve
të vitit 2005. Por, meqë ajo përfaqësonte kandidatin e PD-së,
ndaj saj nuk u mor asnjë masë ndëshkimore, por përkundrazi
u ngrit në detyrë dhe u emërua përgjegjëse në doganën e
Tushemishtit. Gjatë bisedës që ajo bën me gazetarin e "Fiks
Fare", pranon se ka marrë pjesë në fushata elektorale, në komisione
zgjedhore dhe se ka bërtitur në mitingjet e partisë,
që e ngriti në detyrë.

Me përgjegjësen në Doganën e Tushemishtit

Fiksi: … se na thanë që ka qenë më parë në Gorricë. Na tha
një polic aty, që ka qenë në Gorricë dhe ka nja dy ditë që ka
ardhur. Ne e dinim faktikisht, por menduam se ishit këtu.
Manushaqe Kromolli: Po, në fakt, në Goricë kam qenë
më parë.
Fiksi: Beson se mund ta kesh të gjatë në këtë punë... se
mund të ikësh dhe të largohesh në Tiranë, nëse do kesh
suksese?
Manushaqe Kromolli: S‘e di, nëse varet nga aftësitë e
mia, jam shumë e sigurt që do ta kem të gjatë, nëse varet nga
gjërat në anë politike, mund ta kem shumë të shkurtër. Varet
sa mund të zgjasë.
Fiksi: Do përpiqeshit të merrnit ndonjëherë pjesë në fushatë
elektorale?
Manushaqe Kromolli: Po, kam marrë.
Fiksi: Domethënë?
Manushaqe Kromolli: Po, kam marrë, ka qenë ditë e diel.
Kam marrë pjesë në fushatë elektorale. Ka qenë e diel dhe
është bërë...
Fiksi: E, kështu thanë, dhe me përkëdheli e thërrisni edhe
Çaçe, apo jo?
Manushaqe Kromolli: E, po, po.
Fiksi: Si paske arritur të vish? Si të kanë ndihmuar?
Manushaqe Kromolli: Jo, ajo ishte një gjë e papritur për
mua. D.m.th. u mor vendim nga Drejtoria e Përgjithshme
dhe unë e kam marrë lajmin gjysmë dite para. Më datë 31 më
lajmëruan, më datë 1 më thanë duhet të paraqitesh aty.
Fiksi: Në fshatin Vërdovë...
Manushaqe Kromolli: Po, Vërdovë.
Fiksi: … megjithatë ishte kënaqësi që ndenjëm me juve.
E normalisht mendova një çikë kështu se njëri më tha ... e
atë e ka prurë partia, megjithatë mua më bëhet qejfi se jam
i djathtë vetë ...
Manushaqe Kromolli: Jo... Nejse, unë... Nuk ka rëndësi. E,
është dhe zotësia që të sjell...
Fiksi: Por ju keni marrë dhe pjesë në ato dhe...
Manushaqe Kromolli: Jo, jo, nuk është se kam marrë vetëm
pjesë në ato, po unë kam bërtitur sa...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›