E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Presidenti" shkakton përplasje PS-PD

Opozita i ka pritur me këmbët e para propozimet e PD-së për ndryshimin e kompetencave të Presidentit dhe mënyrën e zgjedhjes së tij. Një ditë pas dorëzimit të projektligjit nga selia blu, socialistët kanë bërë thirrje që mazhoranca të mos kushtëzojë konsensusin për reformën zgjedhore me miratimin e projektligjit për Presidentin.

Mazhoranca

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ka bërë me dije dje se propozimet e PD-së për ndryshimet në Kushtetutë duhet të kalojnë në paketë. Patozi i cilësoi të domosdoshme ndryshimet që prekin disa institucione qendrore të vendit, si Prokurorinë, Presidentin dhe Këshillin e Ministrave. Numri dy i PD-së deklaroi se varianti i propozuar nga Partia Demokratike për ndryshimet në Kushtetutë, synon të përmirësojë ligjet, me të cilat është hasur vështirësi ndër vite. "E mira është që të miratohet gjithçka si një paketë e plotë, pasi koncepti ynë është që Kushtetuta nuk është një han me shumë porta, ku mund të hyhet e të dilet pa orar, por do të ishte shumë serioze të mbyllim çdo vatër potenciale krize që kjo Kushtetutë mund të na krijonte", tha ai. Ndërkohë, i pyetur në lidhje me kushtëzimet që do të mund të paraqiste kjo nismë, duke pasur parasysh këtu edhe propozimet e bëra nga PS-ja, Patozi u përgjigj se "në këto kushte ne mirëpresim çdo koment dhe propozim të tyre për këtë paketë që ne kemi paraqitur. Unë mendoj që propozimet tona janë shumë racionale dhe thelbi i tyre është mënjanimi i krizave të mundshme dhe garantimi i stabilitetit politik. Në këtë frymë, unë besoj se do të gjykojnë të gjitha partitë parlamentare". Patozi bëri me dije se diskutimet për ndryshimet në Kushtetutë do të diskutohen edhe me partitë e vogla aleate që bëjnë pjesë në koalicionin qeveritar.

Opozita

Deputeti Fatmir Xhafa vlerësoi dje se për çështjen e reformës zgjedhore ka minimalisht një vit që shtrohet çështja e ndryshimit të sistemit. Në konkluzion të këtij debati, PS-ja ka arritur në përfundimin se ka nevojë për një ndryshim sistemi, ka marrë një nismë që është tërësisht në respekt të Kushtetutës. "Ne nuk përjashtojmë mundësinë e nismave të tjera për ndryshime në Kushtetutë, për ndryshime të tjera në kuadrin ligjor, që lidhen apo jo me çështjet zgjedhore", tha Xhafa. Duke shtuar se duhet të mbyllet ky diskutim që ka të bëjë me çështjet e reformës dhe PD-ja nuk mund të vazhdojë që të mbështesë në mënyrë hipokrite bashkëpunimin me partitë e tjera parlamentare dhe për më tepër ta kushtëzojë në varësi të projekteve, të cilat kanë nevojë të vlerësohen. "Kanë nevojë që të debatohen në radhë të parë brenda politikës, por mendoj që ka nevojë edhe të debatohet edhe jashtë politikës me ekspertë dhe konstitucionalistë, të interesuar dhe të aftë për të gjykuar", u shpreh Xhafa. Sipas tij, opozita është vënë para disa propozimeve të tilla. "Për të cilat nuk mund të them nëse qëndrojnë apo nuk qëndrojnë, nuk mund të them se duhen votuar tani, apo do të votohen, por di të them që për to ka nevojë për një debat të gjerë", sqaron ai. Në vlerësimin e Xhafës nuk është e moralshme që të kushtëzohet konsensusi i dhënë për propozimin e PS-së me kalimin në bllok. Xhafa këmbënguli se domosdoshmëria për të kryer reformën zgjedhore duhet t‘i detyrojë palët që të ulen sa më shpejt në Komisionin e Ligjeve që të kalojë në seancën plenare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›