E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Aleatët po minojnë fitoren e së majtës

Kastriot Islami akuzoi dje se disa forca politike për një karrige tentojnë të minojnë fitoren e së majtës. Sekretari për çështjet zgjedhore në Partinë Socialiste nënvizoi vendosmërinë për të drejtuar këtë proces reformues të shtetit shqiptar e të sistemit politik dhe të angazhimit serioz për reforma moderne e integruese. "Partia Socialiste është e angazhuar për reformimin dhe modernizimin e sistemit politik e të shtetit shqiptar, nga ku reforma zgjedhore përbën një prej shtyllave të saj themelore për realizimin e demokracisë parlamentare të standardeve të BE-së dhe NATO-s", u shpreh Islami. "Kjo reformë shumëplanëshe e shtetit dhe sistemit politik, shtoi ai, përbën misionin tonë afatgjatë dhe objektivin prioritar, larg politikës së ditës dhe llogarive partiake afatshkurtra. Sistemi i ri zgjedhor në themel të reformës zgjedhore, sqaroi ai, i mirëpërshtatur me objektivat integrues, garanton të gjitha hapësirat dhe mundësitë që çdo votues të shprehet për një program, për një ekip dhe për një lider". "Jo për një kandidat që ka shumë lekë apo rrethohet nga personazhe me muskuj të fortë. Ky sistem përbën edhe një mekanizëm të fuqishëm kundër korrupsionit e trafikut politik", u shpreh Islami. Ai vlerësoi se mllefi ka errësuar arsyen e disa partive që sot janë në Kuvend falë aleancës me PS-në dhe që fatkeqësisht për një karrige të paarritshme nesër tentojnë të minojnë fitoren e së majtës. "Mllefi kundër PS-së e kundër reformave nuk është argument, nuk është program, nuk është alternativë dhe mendojmë se me mllef nuk mund të ndërtohet e ardhmja, madje nuk ndërtohet asgjë dhe nuk shkohet asgjëkund", nënvizoi Islami.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›