Patozi: Berisha do të mbledhë tryezën
Kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, dje, ka bërë me dije se tryeza e koalicionit të djathtë do të zhvillohet së shpejti. Pyetjes në lidhje me kërkesën e bërë nga partitë e vogla aleate të PD-së, për uljen në një tryezë diskutimi, Patozi iu përgjigj se "ajo që unë di, është se partitë e koalicionit të djathtë, kanë kërkuar një tryezë të koalicionit qeverisës dhe unë besoj se kjo tryezë do të zhvillohet shumë shpejt". Disa ditë më parë, aleatët demokratë kanë shpërthyer, duke i kërkuar Kryeministrit Sali Berisha me anë të një letre që të mbledhë tryezën e koalicionit. Gjashtë partitë e vogla të djathta kanë shtuar më në fund dozën e presionit për çështjen më delikate të momentit në fushën politike, atë të reformës zgjedhore. Kryetarët e gjashtë partive të vogla aleate me PD-në kanë vendosur që t‘i japin fund deklaratave publike në media dhe t‘i drejtohen Kryeministrit Berisha me anë të një letre për t‘i kërkuar një takim urgjent që lidhet vetëm për çështjen e reformës zgjedhore.