“Shqipëria i shpëtoi recesionit global, kriza në Eurozonë do vazhdojë”
Berisha: Modeli ynë ekonomik, më i suksesshmi – Shqipëria la pas 12 vende të Bashkimit Evropian për lirinë ekonomike
Gjatë mbledhjes së përjavshme e Këshillit të Ministrave, kryeministri Sali Berisha u zotua për fortifikimin e modelit ekonomik të Shqipërisë, të bazuar mbi lirinë ekonomike, i cilësuar edhe si modeli ekonomik më i suksesshëm në Europë dhe botë. Bazuar në raportin e fundit të Bankës Botërore dhe disa universiteteve më serioze të botës, mbi lirinë ekonomike, kryeministri vlerësoi se, ndonëse Shqipëria ka dëshmuar një progres të ndjeshëm në lirinë ekonomike, ky fakt duhet të shërbejë si motiv i fuqishëm për të bërë gjithçka për zgjerimin e mëtejshëm të saj.
“Raporti i fundit i BB dhe disa universiteteve më serioze ne botë, mbi lirinë ekonomike në botë dëshmon për një progres të ndjeshëm të Shqipërisë në lirinë ekonomike, dëshmon një progres prej 16 për qind, ndërkohë që në total, për arsye të njohura tashmë të masave të diktuara nga kriza, liria ekonomike në botë ka njohur regres. Për botën kujdesen ata që kanë përgjegjësi për botën. Ne kemi përgjegjësi për Shqipërinë, ndaj dhe ne me gjithë ketë progres që është shumë i rëndësishëm është e domosdoshme që të shqyrtojmë një për një, të gjitha kolonat mbi të cilat vendoset liria ekonomike. Ne, në fushën e lirisë ekonomike lamë pas 12 vende anëtare të BE dhe kjo është një arritje e madhe, natyrisht këto vende, secila prej tyre, për shkak të trashëgimisë historike, etj, është shumë herë më e zhvilluar se sa Shqipëria dhe kjo nuk mund të na bëjë ne aspak euforikë se meqenëse kemi arritur në këtë stad, përkundrazi kjo duhet të na motivojë ne fuqishëm të bëjmë gjithçka për zgjerimin e saj. Shqipëria i ka shpëtuar recensionit, krizës, vetëm e vetëm për shkak të modelit ekonomik të bazuar në lirinë ekonomike, asnjë faktor tjetër nuk na ka mbrojtur ne nga kriza ekonomike botërore, përveçse lirisë ekonomike”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë tha se administrata shqiptare është një nga 10 administratat më të vogla në botë dhe kjo përbën një arritje thelbësore të madhe, të qeverisë shqiptare.
“Raporti lirisë ekonomike fakton se administrata shqiptare është një nga 10 administratat më të vogla në botë dhe kjo përbën një arritje thelbësore të madhe, por kjo kërkon nga të gjithë ju, zotërinj ministra dhe nga drejtuesit e të gjithë agjencive të heqin nga mendja se mund të shtojnë edhe një njeri të vetëm në administratë. Natyrisht koha dhe evolucioni, kërkesat bëjnë të domosdoshme krijimin e sektorëve dhe agjencive të reja, të gjitha këto do të bëhen duke ridimensionuar, duke zvogëluar ato ekzistueset”, tha ai.
Duke theksuar se kriza ekonomike, në zonën e euros, është një krizë që vjen në thellim, e cila nuk do të jetë afatshkurtër, kryeministri vlerësoi se për ekonominë shqiptare nuk ka mburojë tjetër, përveçse lirisë ekonomike, reformave dhe avancimit të vazhdueshëm të tyre.
“Kriza ekonomike, në zonën e euros, është një krizë që vjen në thellim, është një krizë, e cila nuk do të jetë afatshkurtër dhe në mënyrë absolute nuk kemi mburojë tjetër përveçse lirisë ekonomike, përveçse reformave dhe avancimit të vazhdueshëm të tyre. Ndaj dhe ne duhet ti marrim këta tregues. Sot, në totalitet ne renditemi në vendin e 30. Kemi qenë në vendin e 46, jemi ngjitur te vendi i 30. Duhet të bëjmë gjithçka që të ecim me shpejtësi drejt vendeve të para. Kjo është rruga e vetme për të shndërruar në vlera për qytetarët tanë pasuritë e këtij vendi, ndaj dhe unë kërkoj që secili nga ju, zotërinj ministra, të analizojë se çfarë ka bërë për të privatizuar asetet që janë në pronësi të ministrisë së tij, çfarë ka bërë për të dhënë me koncesion apo në përdorim, në partneritetin publik, privat, ato çka ndodhen në varësi të tij. Le ta bëjë ky ministër apo ky drejtor etalon të veprimtarisë së tij. Shembulli më i shkëlqyer janë HEC, suksesi ynë më i madh dhe një nga rastet më të rralla në botë për të mos thënë unik, kur në një hark kohor tre vjeçar janë arritur të jepen me koncesion mbi 200 hidrocentrale. Rreth 40 prej tyre janë në ndërtim e sipër, pra kur qeveria përqendrohet, qeveria realizohet. Siç kemi ecur me Hidrocentralet, ne duhet të përpiqmi të ecim në çdo fushë tjetër”, deklaroi kryeministri.
Kreu i ekzekutivit u shpreh se qeveria do të angazhohet në çdo përpjekje për ta renditur Shqipërinë, gjithnjë e më pranë vendeve më të zhvilluara ekonomike, pasi kjo është rruga vetme për të shndërruar pasuritë e këtij vendi, në vlera për qytetarët e tij.
“Ju garantoj se reformat më të dhimbshme dhe më të rëndësishme për hapjen e hapësirave të lirisë, janë realizuar. Ne kemi barrën fiskale më të ulët në Evropë, por nuk kemi burokracinë më të zhdërvjellët tatimore, në përputhje me këtë barrë. Për barrën fiskale, për sa i përket lirisë fiskale ne jemi në çatinë e botës, për burokracinë tatimore, ka vend dhe duhet ta përmirësojmë shumë”, tha Berisha.