E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nevila Nika - E ushqyer me historinë

 

arta marku

E ardhmja e saj ishte përcaktuar qysh në fillim. Jo si
    rezultat i një vendimi të marrë në familje, pas dis
    kutimesh që rëndom prindërit bëjnë mes tyre për
    rrugën që do të marrë fëmija në jetë. Ama s’mund
    të shpërfillen diskutimet, si ndikuese. Por ishin tjetërsoj diskutimet që bëheshin në shtëpi që ndikuan në formimin e Nevila Nikës, e për rrjedhojë në zgjedhjen e rrugës së saj profesionale. Askush nuk i tha të bëhej historiane. Askush nuk e nxiti. Por historia iu injektua gjatë procesit të rritjes. Kur erdhi momenti për të zgjedhur, para se të ulej mbi letrën e bardhë ku do të përsëriste me shkrim tri dëshirat e saj lidhur me shkollën e lartë që duhej të ndiqte ajo, s’mund të shënonte tjetër veçse fjalën histori. “Kishte dy arsye”, shpjegon drejtorja e sotme e Arkivës së Shtetit. Dhe ku ta dish pse, të parën në rend përmend mësuesen e saj të historisë, Elima Libohovën, e cila ia kish përfshirë në gjak preferencën ndaj historisë. “Ishte e diplomuar në Itali”. Dhe kjo duhet të ketë pasur ndikimin e vet te transmetimi i dëshirës nga mësuesja pasionante, te nxënësja që më pas do të behej historiane. Por nuk mund të mjaftonte kaq. Ose së paku, jo në rastin e Nevila Nikës. Nuk ka qenë mësuesja i vetmi ndikim. E gjithë periudha e rritjes së saj, është tërësisht e ngjyer me sharm historie...Të lindësh në një familje të caktuar sigurisht, nuk është meritë. Ama është fat që s’u takon të gjithëve. Krejt fëmijë, Nevila Nika nuk mund ta kuptonte fatin e mbiemrit që kishte. Ose më saktë, e të dy mbiemrave që ishin lidhur për të krijuar familjen në të cilën ajo u lind. Ishte mbesë e Ismet Totos dhe e Hoxha Kadri Prishtrinës. S’ka gjë se këta dy burra nuk ia shënjuan fëmijërinë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nuk pati rastin ti prekë me dorë e ti shohë në sy. Nuk ishin për të, gjyshërit tipikë që e marrin mbesën përdore e drejtohen për nga parku i lodrave. Ama ishin dy gjyshër, nga ata që pakkush mund ti ketë. Dhe ishin gratë e tyre, në jetën e të cilave ca nga ca mbesa e vogël u përfshi. Dhe nëpërmjet jetës së tyre në jetën e burrave që kishin pasur. Sepse, rrëfimet e gjysheve të Nevilës, s’ishin përrallat e trilluara e as ato klasiket me të cilat plakat flokëbardha ushqejnë nipa a mbesat. Rrëfimet ishin ngjarjet e vërteta të jetëve të tyre, me përzierje të historisë jo thjesht dhe vetëm vetjake. Më vonë do ti lexonte Nevila shkrimet e gjyshit të saj nga nëna. Do të lexonte artikujt e tij, librat që la pas, apo atë fragment të historisë së Shqipërisë në të cilën ai la shenjën e tij të pashlyeshme. Më vonë Nevila Nika, në kërkim të rrënjëve vetjake por më së shumti në kërkim të bashkimit të copave të pazllit historik të vendit të saj, do të lexonte ditarin e gjyshit që nuk e njohu kurrë vizualisht veç në mos nëpërmjet të fotove që gjyshja i ruante me devocion. Më vonë ajo, do të ishte mbesa që përlotej por edhe historiania që mrekullohej tek lexonte, shënimet e ditë pas dite të Ismet Totos, deri në orën e ekzekutimit. “Sulmova jetën dhe më pushtoi vdekja.- kish shkruar këtu e 70 vjet të shkuara, gjyshi i historianes. “Me kthetrat e saj të ndyra ajo më shqeu përsëgjalli. Kënga ime papritmas u kthye në një ulurimë shurdhonjëse… Sa je gjallë digju, dhe nëpër ato djegie lësho dritë dhe ngrohtësi. Bota nuk është e atyre që ngrohen. Bota është e atyre që digjen. Po të mos qe dielli prej zjarri dhe duke u djegur, s’do kish as jetë, as botë … Mendja dhe shpirti e tundin dhe e mbrujnë lëndën”. Mbesa do të lexonte jo pak e emocionuar, shënimet që gjyshi hodhi, pikërisht në çastet para ekzekutimit, në qelitë e lagështa të burgut të Gjirokastrës.  “Rasti ynë cili është? S’guxoj të mbështet në as njërën nga këto dy teori rastin tonë. Sidoqoftë një pyetje më çjerr shpirtin: Ku vemi kështu?....” Historiania do të lexonte jo pak e magjepsur, shënimet e një personazhi historik. Por kjo do të ndodhte më vonë. Sigurisht në fëmijërinë e vet çfarë do të mësonte jo pa krenari për gjyshin e munguar, ishte lidhja e tij me kryengritjen antizogiste të Delvinës, dënimi me varje nga regjimi i Zogut pas dështimit të kryengritjes, qenia e tij si përfaqësues i një plejade intelektualësh, gazetarësh, kritikësh që shquan…

* * *
Nuk është pak. E megjithatë nuk është vetëm kaq. Sepse Ismet Toto ishte shenjues i gjysmës së familjes së Nevila Nikës. Gjysma tjetër është gjithaq e rëndësishme, provokuese krenarie, po aq e përfshirë në historinë e Shqipërisë. Sepse pjesë e historisë së Shqipërisë është edhe gjyshi tjetër. Historianët i njohin mirë, por jo vetëm, faqet e historisë ku flitet për Hoxha Kadri Prishtinën, ministrin e drejtësisë në qeverinë e Sulejman Delvinës, që doli nga kongresi i Lushnjës; një ndër themeluesit e Komitetit për mbrojtjen e Kosovës, një ndër… Nevila Nika flet modestish, e mësuar me të tilla identifikime apo përkime. Ama, pavarësisht kësaj, s’mund të bësh tjetër, veçse për ti referohet fatit. Sepse s’mund të jetë ndryshe veç fat të lindësh në një familje me rrënjë të ngulura thellë në histori... Do të ishte fat e krenari edhe nëse pinjollja nuk do të kish bërë lidhje profesionale me historinë. Por ja që kjo lidhje, në rastin e saj është një rezultante. Martesa fatlume e prindërve të saj, pati vijimësinë e natyrshme të vajza, duke i dhënë, edhe jo qëllimshëm, profesionin e historianes…

* * *
Qysh herët, nëpërmjet bisedave në shtëpi, sidomos në shtëpitë  e gjysheve, Nevila Nika asokohe Hoxha, filloi të njihte personazhet historikë. Veç gjyshërve, sigurisht, protagonistë të diskutimeve të shpeshta të të rriturve, por edhe rrëfimeve të gjysheve, ishin edhe të tjerë personazhe historikë. Sulejman Vokshi, Bajram Curri, Hasan Prishtina… “Kur je i vogël, tek dëgjon për ta, beson se janë personazhe përrallash”. Aspak e lehtë për një fëmijë të bëjë dallimin mes Mujit e Halilit dhe Bajram Currit. Ama, pasi preken me dorë, ndjesia e fëmijës ndryshon. Dhe Nevila e pati këtë mundësi diferencimi. Edhe pse jo drejtpërsëdrejti, ama i preku në një farë mënyre ata burra të pazakontë sa dhe gjyshërit e vet. Kur pa të trokisnin në derë e të bujtnin gruan dhe vajzën e Bajram Currit, mbesën e Sulejman Vokshit, gruan dhe fëmijët e Bedri Pejanit, vajzën e vëllait të Hasan Prishtinës… e të tjerë personazhe si këto, filloi të kuptonte se burrat s’ishin pjellë imagjinate, sado të sofistikuar popullore. S’ishin figura imagjinare të cilave, vajza e vogël, mund tua skiconte si të donte tiparet e fytyrës apo përmasat fizike. Përkundrazi, paskëshin qenë njerëz prej vërteti, prej mishi e gjaku... Për më tepër njerëz të mëdhenj. Gratë fisnike që i kish takuar sa e sa herë, e sipas një tradite në shtëpi, u kish puthur dorën, nuk mund të mos gërvishtnin shenja të forta në nënvetëdijen e Nevilës fëmijë. “Më vonë kuptova se pata pasur fat që i kisha takuar”. Do të këmbëngulte te bindja e saj, pasi të bëhej historiane, sigurisht. Sepse atëherë e kuptoi me të vërtetë mirë se, libri i historisë, kishte kohë që ish hapur për të. Kurse ajo e kish shfletuar. Detajet, të hollësishme madje, i kishte mësuar ca nga ca. Mbi të gjitha, me ëndje. Pjesa e rrugës që do të vinte më pas, ishte vijimësi e natyrshme...

* * *

“Jam vërtet me fat, që pikërisht mua më ra hise që në emër të Arkivit të Shqipërisë të më dorëzohet Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, sepse Kosova është edhe pjesë e historisë së familjes sime, duke ditur se gjyshi im ishte një nga pjesëtarët e Komitetit për Shpëtimin e Kosovës... Dorëzimi i Deklaratës, është një gjë e jashtëzakonshme për mua”. Nevila Nika kish mbërritur në Kosovë kësaj here si drejtoreshë e Arkivit të Shtetit shqiptar. Ishte 24 qershori i vitit 2008. Ndodhej e përfshirë në një çast historik. Dhe iu duk, edhe një herë, se fati kish dashur ashtu që të ishte ajo atje, që të krijohej kësisoj një lidhje mes saj dhe realizimit të ëndrrës së gjyshit. Pak vonë? Ndoshta. Pjesë e destinit edhe kjo. Sepse Nevila i përkiste brezit të tretë. Gjyshi që kish luftuar pikërisht për këtë ditë, s’ishte më. As pasardhësi i drejtpërdrejtë i tij, babai i Nevilës. Por ajo ishte, dhe ishte në vendin e duhur. A nuk ishte kjo një arsye tejet e fortë për tu përlotur? Sigurisht që ishte. Ndoshta nuk ishin të shumtë ata që e dinin se atij çasti, historianes shqiptare iu përtëri zëri i gjyshes që i rrëfente për të shoqin Hoxha Kadri Prishtinën.
...Të nesërmen, tek dilte nga hotel Grandi, një kosovar që kalonte aty pasi, s’mundi të mos ndalonte, t’i shtrëngonte dorën historianes shqiptare, e t’i përmendte emocionet që i kish transmetuar, anipse s’e kish pasur këtë qëllim. Kosovari s’e dinte fëmijërinë e Nevila Nikës... Se dinte që ajo s’ishte rastësisht historiane...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›