E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problemi i të rikthyerve - Shqipëria s’do të përsëritë precedentët e vendeve fqinje

Kryeministri iu referua çështjes së të rikthyerve, e cila sipas kryeministrit përbën problem, pasi në rastin e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, kërkesat për azil politik në perëndim, ishin nga shqiptarët. Berisha vuri në dukje se është bërë një fushatë ndërgjegjësimi për konceptin e liberalizimit të vizave, në mënyrë që të mos përsëriten precedentët e qytetarëve shqiptarë të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi.
“Komitetit i shtohet si veprimtari edhe çështja e të rikthyerve, e cila përbën edhe kjo një problem. Për fat të keq, kjo ndodhi me shqiptarët. E organizuar apo jo, këtë nuk mund ta them, por ata që kërkuan azial, pas liberalizimit të vizave me Maqedoninë e Serbinë, ishin shqiptarë. Tani, është normale që prozhektorët të drejtohen drejt nesh. Do të hiqen vizat, por pyetja e tyre është si do reagojnë qytetarët shqiptarë. Për këtë, është bërë një fushatë promovuese, gjykoj shumë e mirë, por është e domosdoshme që kjo fushatë të jetë më intensive. Të mos mendojmë se kombet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, në rast se do t’u kërkohej të votonin për heqje vizash, do të votonin në favor. Asnjë prej tyre nuk do të votonte për heqje vizash”, u shpreh kryeministri Sali Berisha.

“Kusht kundër krimit dhe terrorizmit, ndjekja e parave që prodhojnë ato”

Lidhur me përpjekjet ndërkombëtare për luftimin e terrorizmit, kryeministri Berisha iu referua luftës kundër pastrimit të parave. Berisha shprehu zotimin e qeverisë së drejtuar prej tij, për të hetuar pasuritë në vlerë monetare, përpara se ato të kthehen në asete të tjera. Në këtë aspekt, shefi i ekzekutivit deklaroi se do të zbatohet me përpikëri ligji. “Një problem po del gjithnjë e më shumë si problem kryesor jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për mbarë Europën dhe botën, ai i larjes së parave. Ka një qëndrim amerikan të konceptit të larjes së parave dhe një koncept evropian, të cilat janë shumë të përafërt, por gjithsesi dallojnë diçka nga njëri tjetri. E vërteta është se kusht themelor për të luftuar terrorizmin dhe krimin e organizuar është të ndjekësh paratë e tyre, para se ato të kthehen në asete të tjera. Ka një rritje të punës në këtë drejtim, ka një Agjenci, e cila ka si mision direkt këtë çështje, por kapacitetet e policisë duhet të rriten dhe trajtohen, pasi kjo do të jetë çështja më kryesore, gjatë kohërave që vijnë dhe kjo jo vetëm për ne, por është europiane dhe botërore. Ne kemi Kodin që kemi dhe ligjin dhe do t’i përmbahemi këtij Kodi”, u shpreh kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit, theksoi se në varësi të punës së institucioneve, rezultatet do jenë të prekshme. “Unë gjykoj se rezultatet do të jenë gjithnjë e më të mëdha. E theksoj edhe një herë se gradualisht, kjo do të shndërrohet në çështjen më themelore. Unë kam mesazhet e qarta në këtë pikë, nuk është specifike për Shqipërinë, por për të gjithë Europën, SHBA-të janë më të avancuara, e kanë konceptim më të gjerë, sesa vendet europiane. Të bashkëpunohet ngushtë me doganat dhe tatimet. Ky memorandum që është nënshkruar midis Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Financave dhe Prokurorisë së Përgjithshme duhet të mishërohet në një veprimtari konkrete, të vazhdueshme. Me nismën e prokurorisë janë në shqyrtim rreth 50 çështje që përfshijnë harkun kohor nga 2007 e gjer më sot, për asete krimi dhe kjo është shumë pozitive. Në të vërtetë, Gjykata e Krimeve të Rënda i ka vendosur sipas ligjit rastet e dërguara”, deklaroi më tej, kryeministri Sali Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›