Heqja e vizave, për shkak të luftës pa kompromis kundër krimit

Nis një fazë e re e luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafiqeve dhe terrorizmit, në kuadër të problematikës së re që krijohet, me heqjen e regjimit të vizave. Kreu i ekzekutivit mandaton përgjegjësi të reja për të gjitha institucionet, për të fshirë nga kujtesa e qytetarëve shqiptarë dhe e atyre evropianë, kronikat e zeza të krimit të organizuar
Menjëherë pas kthimit nga Belgjika, vendi i cili ka presidencën e radhës të Bashkimit Evropian dhe që ka dhënë garanci të plota për hyrjen e Shqipërisë në zonën e lirë të Schengenit, kryeministri Sali Berisha i jep një sinjal të pastër Brukselit, se autoritetet shqiptare do plotësojnë çdo detyrim që rrjedh nga marrëveshja e integrimit me BE-në. Kryeministri u shpreh dje për një përshkallëzim të luftës kundër krimit, në mënyrë që kronikat e zeza të evitohen përgjithmonë. Kryeministri thirri dje mbledhjen e Komitetit ndërinstitucional për masat kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit. Berisha bëri një analizë të masave të marrë në këtë drejtim, përmbushjes së detyrimeve dhe parashtroi detyrat kryesore, ku duhet të përqendrohet veprimtaria e institucioneve të përfshira në këtë luftë, në të ardhmen. Kreu i qeverisë shqiptare shtroi si detyrë parësore për të gjitha institucionet, luftimin e krimit të organizuar. Sipas Berishës, liberalizimi i vizave shton edhe më tepër përgjegjshmërinë e qeverisë për të luftuar fenomenin e krimit. “Kjo mbledhje është thirrur për të analizuar ecurinë e përpjekjeve në luftën kundër krimit të organizuar. Duhet të kemi të qartë se ky Komitet, institucionet që janë të mbledhura këtu, kanë dhe do të kenë si detyrë më kryesore adaptimin e tolerancës zero ndaj krimit të organizuar. Do të ishte shumë e gabuar në qoftë se ne do të shkrehnim sado pak, duke e lidhur me vizat, këtë veprimtari, e cila duhet të njohë vetëm rritje dhe konsolidim. Lufta kundër krimit të organizuar, bashkërendimi i kësaj lufte, përpjekja e përbashkët e institucioneve nuk ka dhe nuk mund të ketë objektiv më kryesor, sesa sigurinë e jetës, pronës, veprimtarisë së qytetarëve shqiptarë, nuk ka dhe nuk mund të ketë objektiv më kryesor shtypjen e krimit me të gjitha mjetet ligjore. Natyrisht, vendosja e regjimit të heqjes së përkohshme të vizave për 90 ditë, shton edhe më shumë këtë obligim, por kjo mbetet një detyrë permanente e të gjitha institucioneve të zbatimit të ligjit në Shqipëri. Kjo mbetet edhe një përparësi më madhore e qeverisë, e cila, në funksion të saj, është dhe mbetet e vendosur t’u garantojë të gjithë mbështetjen e nevojshme këtyre institucioneve, për t’u përballur me sukses me këtë luftë”, u shpreh kryeministri Berisha. Shefi i qeverisë theksoi se vitet e fundit rezultatet janë shumë të mëdha, evidente, të arritura, por ndryshimi rrënjësor i situatës krahasuar me pesë vite më parë, serish nuk është pasqyruar në opinionin publik europian, i cili ende ka në mendjen e tij kronikat e zeza të mediave të tyre për bosët mafiozë shqiptarë, apo librat e shkruar lidhur me grupet kriminale shqiptare. “Unë sapo jam kthyer nga Belgjika, do të thosha në një vizitë të shkëlqyer. Aty, një gazetare më pyeti se si do t’ia bëni, pasi vendi juaj ka një reputacion të keq për krimin. Natyrisht, iu përgjigja duke i thënë se kjo ishte një e shkuar që ju keni në mendje. Dhe faktikisht, ajo gazetare nuk është e vetme, ka edhe shumë të tjerë që në mendje kanë këto kronika. Ndaj, ne duhet të luftojmë me vendosmëri të madhe krimin e organizuar dhe të promovojmë këtë luftë”, tha Berisha. Ai vlerësoi si hapa të rëndësishëm në luftën kundër krimit, memorandumin e nënshkruar midis Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Financave për të shqyrtuar problemet e përbashkëta. “E një rëndësie të veçantë është një lloj ujdie që është arritur midis Prokurorisë së Përgjithshme dhe Drejtorisë së Luftës Kundër Pastrimit të Parave, për të qartësuar më tej kriteret dhe përpjekjet e përbashkëta në këtë luftë. Përpjekje serioze janë bërë në rrafshin legjislativ edhe për mbrojtjen e dëshmitarëve. Mbrojtja e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë ka një rëndësi të jashtëzakonshme në suksesin e luftës kundër krimit të organizuar. Udhëzimet po elaborohen më tej, por ne duhet t’i kushtojmë një rëndësi shumë të madhe këtij sektori. Natyrisht, mbi bazën e kritereve të caktuara do të jetë Prokuroria, ajo që përcakton personat që meritojnë këtë mbrojtje, por përpjekje më të mëdha se deri më sot duhet të bëhen, në mënyrë që këta persona të kenë të garantuara ato që meritojnë për dëshmitë që bëjnë”, deklaroi kryeministri. Shefi i ekzekutivit garantoi se krimi i organizuar në vend do shtypet me të gjitha format dhe mjetet, në mënyrë që Shqipëria të marrë notën pozitive nga kancelarinë perëndimore. “Parlamenti miratoi një ligj shumë të rëndësishëm, ligji për policinë gjyqësore. Unë mendoj se është e domosdoshme që të bashkëpunohet me Prokurorinë për zbatimin e tij. Ky ligj duhet të ngrejë punën e policisë gjyqësore dhe punën e policisë në tërësi në një nivel të ri. Duhet të organizohen trajtime, të njihet policia me ligjin dhe të gjitha risitë që sjell të shfrytëzohen në drejtim të konsolidimit të punës së saj”, tha Berisha.
...