E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, tërësisht e asfaltuar deri në fund të mandatit

Kryeministri Berisha mbledh komitetin për zhvillimin rajonal. Gati financimi i 320 projekteve në rrugë nga Saranda në Vermosh

Kryeministri Sali Berisha dha dje garanci të plota se deri në fund të mandatit qeverisës do të asfaltohen plot 7 mijë km rrugë, për të konfirmuar projektin e Shqipërisë tërësisht të asfaltuar. Këtë deklaratë, kreu i qeverisë e bëri gjatë mbledhjes së Komitetit për Zhvillimin Rajonal. Duke e cilësuar si një mbledhje shumë të rëndësishme, kryeministri Berisha bëri me dije se me gjithë shkurtimet e shpenzimeve të bëra, janë mbi 320 projekte në rrugët e vendit nga Saranda në Tropojë, nga çajupi në Valbonë, në Vermosh, të cilat do të financohen.
Kryeministri Berisha theksoi se ka një vendosmëri totale, për të vazhduar me ritme intensive ndërtimin e infrastrukturës së vendit. “Ne jemi zotuar për 7 mijë km rrugë për gjatë këtij mandati, jemi zotuar për programin Shqipëria tërësisht e asfaltuar dhe do ta zbatojmë këtë program deri në fund”- tha kryeministri.
Më tej u theksua se përveç këtyre 320 projekteve, që janë në rrugë dytësore e tretësore, në komuna dhe bashki, janë dhe projektet e rrugëve rajonale, të cilat financohen nga një fond i veçantë i Fondit Shqiptarë të Zhvillimit. Këto rrugë, kanë një shtrirje në të gjitha qarqet e vendit, nga Kukës deri në Gjirokastër.
“Këto rrugë janë me impakt të madh për qarqet. Janë rrugë, për të cilat në 4 vjet qeveria shqiptare ka garantuar dhe 400 milion dollarë të tjera, e në rast nevoje do të garantohen edhe më shumë. Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, përfshin të gjitha financimet që bëhen në rajonet e vendit; ujësjellës-kanalizime, shkolla dhe qendra shëndetësore. Përfshin të gjitha kreditë e buta, grandet dhe financimet buxhetore për fermerët shqiptarë. Këtë vit gama, spektri, i financimeve në bujqësi është zgjeruar në mënyrë të ndjeshme, natyrisht duke mbetur si projekt lider ai i ullirit. Janë bërë dhe po behën financime, në të gjithë sektorët e tjerë në një përqendrim në fruti kulturë. Këtë vit kanë marrë një mbështetje të ndjeshme arrat dhe lajthitë. Do të mbështetet gështenja dhe bimët mjekësore. Mund t’u them se është katërfishuar, sipas disa statistikave, sera diellore”, tha kryeministri duke i bërë thirrje më pas medias që t’i paraqesin këto përpjekje të fermerëve shqiptarë në ekranet e valët e tyre, si një detyrim ndaj atyre që janë shikuesit më të rregullt e që kanë nevojë e dëshirë të duan të shohin edhe mundin e djersën e tyre në ato ekrane.
“Nuk është Shqipëria vetëm kuartieri i ndërtesave qeveritare në Tiranë, ndaj dhe shumë njerëzisht ju kërkoj që emisionet tuajat të kenë në vëmendje edhe fermerët, të mos harroni se mbi 40 për qind e shqiptarëve jetojnë në fshat me problematikë jo të vogël, por me përpjekje shumë të mëdha derdhin lumenj djerse për të përmirësuar dhe ndryshuar jetën e tyre”, vuri në dukje kreu i qeverisë.
Në fund të fjalës së tij kryeministri theksoi se, këtë vit qeveria shqiptare ka rritur në mënyrë të ndjeshme, ka dyfishuar financimin për fermerët. E se po kombinohen të gjitha format nga kreditë e buta, grandet deri tek kreditë tregtare sipas rasteve, përpjekje këto që korrespondojnë me vitin bujqësor më të mbarë të këtij shekulli.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›