E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dibër, bllokohen disa galeri minierash, për aktivitet ilegal

Kontrollet e Drejtorisë së Policisë të Qarkut Dibër, Zyrës së Krimit Ekonomik, Zyra Rajonale e Punësimit, Zyra e Tatim-Taksave, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore kanë dhënë rezultatet e parë. Tre galeri kromi dhe disa dhjetëra ton krom janë bllokuar nga në Bulqizë nga efektivat e policisë në bashkëpunim me strukturat e tjera shtetërore. Kontrollet kanë patur për qëllim të verifikojnë nga afër kushtet e punës për minatorët, duke parë nga afër gjendjen e minierave, sidomos atyre me rrezikshmëri për jetën dhe shëndetin e minatorëve.

Është e disata herë që repartet e avari-shpëtimit janë ankuar se minatorët dhe punëtorët ndihmës punojnë aktualisht në kushte tejet të rënda, pasi firmat private kanë në rend të ditës pasurimin nga shitja e mineralit të kromit dhe jo krijimin e kushteve normale për punëtorët. Kontrollet e ushtruara prej disa ditësh kanë synuar gjithashtu të evidentojnë të gjitha subjektet që nuk kanë siguruar punëtorët. Kjo, sepse disa nga punëtorët kur arrijnë moshën e pensionit nuk e gëzojnë atë pasi nuk janë siguruar, ndërsa të tjerë nuk përfitojnë shërbime shëndetësore, pasi nuk rezultojnë të siguruar. Subjektet minerare janë kontrolluar gjithashtu në lidhje me dokumentacionin ligjor për shfrytëzimin e kromit apo stoqeve, pasi në jo pak raste është konstatuar se disa individë kanë shfrytëzuar galeri kromi pa leje shfrytëzimi.
 

Burime të sigurta informacioni saktesuan se janë bllokuar galeritë 42, 49 dhe 66 dhe janë në verifikim e sipër galeritë 58 e 58/1, të cilat ndodhen në sektorin D. Policia nuk saktësoi emrat e pronarëve të këtyre minierave, por deklaroi se pas pak ditësh, pas përfundimit të kontrollit në të gjitha subjektet private, do të jepen hollësi për aktivitetin e paligjshëm që është ushtruar në këto miniera. Po ashtu janë bllokuar 260 ton krom që ndodhej pranë këtyre minierave.
 

"Këto subjekte minerare kanë punuar pa lejen e strukturave shtetërore. Gjatë kontrollit të ushtruar ata nuk kanë patur dokumentacionin e duhur ligjor"-tha një zyrtar i policisë rajonale Dibër.
 

Kontrollet vazhdojnë në të gjitha subjektet minerara të liçensuara ose jo në rrethin e Bulqizës. Po ashtu janë ushtruar kontrolle të rrepta ndaj mjeteve që merren më transportin e kromit nga Bulqiza në drejtim të Portit të Durrësit. Edhe herë të tjera janë mbyllur sektorë minerarë në këtë rreth, mirëpo ato kanë vijuar sërish punën.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›