E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lezhë, PD fituese në gjysmën e votimit

 

LEZHE - PD-ja është fituese në qarkun e Lezhës, të paktën me numrin e gjysmës së votave të numëruara gjer në orët e para të mëngjesit të sotëm. Në disa qytete, simpatizantë të kësaj force politike kanë nisur festimet, ndonëse ishin numëruar vetëm pak më shumë se gjysma e kutive të votimit. PD-ja kryesonte në gjithë qarkun me 44.48 për qind të votave, PS me 29.5 për qind të votave, ndërsa LSI me 4.14 për qind. Nga 244 kuti gjithsej, deri në orët e para të mëngjesit ishin numëruar 140 kuti. Qarku i Lezhës ka gjithsej 7 mandate, ku nga rezultatet paraprake, PD-ja merr 4 deputete ndërsa PS-ja 3 deputetë. Në të gjithë qarkun procesi i numërimit vijoi pa probleme, ndonëse procedurat e stërzgjatura, ku çdo votë duhej të kalonte më parë në skaner, ka bërë që numërimi të zgjasë tej parashikimeve të të gjithë komisionerëve. Këta të fundit kanë ndier lodhje, duke ngadalësuar gjithnjë e më shumë procesin. Ndërkohë nuk kanë munguar as incidentet e vogla, përsa i përket parregullsive të konstatuara apo edhe defekteve teknike. Në Kurbin u bllokuan dy kuti votimi, të cilat sipas komisionerëve rezultuan me shkelje. Njëra i përkiste Malit të Bardhe dhe tjetra Shullazit. Sipas burimeve zyrtare të KZAZ-së, në kutinë e votimit të Malit Bardhe u konstatuan më tepër fletë votimi se sa votues, ndërsa në kutinë tjetër të votimit ishin prishur vulat. Procesi i numërimit në këtë rast u ndërpre derisa erdhi një udhëzim nga KQZ-ja. Ndërsa në rrethin e Lezhës, në përgjithësi procesi ka vijuar normal. Në Laç, gjatë gjithë ditës makina me pankarta dhe flamuj të PD-së kanë qarkulluar nëpër qytet dhe pranë qendrave ku numëroheshin votat. Në Mirditë ka nisur herët grumbullimi i bazës materiale, pasi qendrat e votimit janë mbyllur në orën 19:00. Duket theksuar se në Lezhë, Mirditë dhe Kurbin, i gjithë procesi i votimit dhe më pas numërimit nuk ka shënuar asnjë incident ndërmjet qytetarëve, simpatizantë këta të PS-së apo PD-së, ndonëse këta të fundit kanë nisur festimet që në orët e para të mëngjesit, kur ende nuk dihej subjekti që do të dilte në avantazh. Është ende herët për të folur për fitues, duke qenë se në gjithë qarkun janë numëruar vetëm pak më shumë se gjysmat e votave. Por nga rezultati i deritanishëm, PD merr katër deputetë ndërsa PS-ja 3 deputetë, nga 7 mandate gjithsej. Duhet theksuar se në të shumtën e zonave, kutitë e të cilave nuk ishin hapur, janë bastione të PD-së, çka rikonfirmon paraprakisht një fitore të saj. Në Kurbin është votuar në dy Bashki, Mamurras dhe Laç dhe në dy komuna Milot dhe Fushë Kuqe. Ndërsa numri i votuesve ishte 49 mijë. Ndërsa në Mirditë është votuar në dy bashki, Rrëshen dhe Rubik dhe në pesë komuna Kthellë, Kaçinarë, Orosh Selitë dhe Fanë. Numri i zgjedhësve në këtë rreth ka qenë 26 756, ndërsa kanë votuar 50 për qind. Ndërsa në Lezhë është votuar për Bashkinë Lezhë dhe Komunat Shëngjin, Balldre, Blinisht, Shënkoll dhe Zejmen. Numri i votuesve në Lezhë ishte 73 mijë.            r.n

qarku LEZHE

Alenca e Ndryshimit

PD    17781 vota
PR    758 vota
PAA    845 vota   
PDI    17 vota   
PAD    152 vota   
BLD    171 vota
PLL    391 vota
AMIE    3 vota   
PADS    2 vota
PBK    60 vota

Bashkimi per Ndryshim

PS    12167 vota
PSD    1222 vota
PDS     157 vota   
PBDNJ     271 vota    G99    217 vota

Aleanca Soc. për Integrim

LSI    1835 vota
PSV 771 vota

158 qendra nga 244 gjithsej

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›