Elbasan, “kokë më kokë” PS dhe PD
ELBASAN / ALDO KOZARJA
Një luftë “kokë më kokë” ka qenë ajo e votave mes PS-së dhe PD-së në qarkun e Elbasanit. Socialistët, ndërsa ishin hapur dhe numëruar gjysmat e votave kishin herë përparësi të vogël dhe herë barazim me demokratët, duke i lënë mandatet e 14 deputetëve ende pezull. Nga 550 qendrat e votimit që ka Qarku i Elbasanit, deri në orën 23.00 u numëruan afërsisht 278 kuti nga 550 gjithsej, duke e lënë të hapur rezultatin deri në ditën e sotme.
Vota të pavlefshme dhe ritëm i ulët, ka karakterizuar procesin e numërimit në të gjithë Qarkun e Elbasanit, që e ka shtyrë më tej momentin final të shpalljes së rezultatit përfundimtar. Nga shifrat paraprake, Partia Socialiste kryeson me një diferencë prej qindra votash, të cilat afër mesnatës së djeshme llogariteshin në rreth 5 për qind. Është vënë re se Partia Demokratike ka dalë në avantazh me një numër minimal votash edhe në ato zona që konsideroheshin bastione të saj. Kështu në komunën e Bradasheshit, në këto zgjedhje Partia Demokratike ka fituar me një numër minimal votash, që nuk i kalon 30, kundrejt Partisë Socialiste. Ndërkaq, kanë mbetur dhe rreth 58 kuti nga zona që përfshijnë fshatrat e rrethit të Elbasanit, ku PD udhëheq me një diferencë prej 200 votash. Në KZAZ numër 14, e cila është vendosur në palestrën e gjimnazit “Dhaskal Todri” të Elbasanit, janë nëntë grupe numërimi, të cilat deri në orët e vona të ditës së djeshme kishin numëruar më shumë se gjysmën e kutive. Ndërsa pak metra më larg ndodhet KZAZ numër 12, e cila është duke numëruar 96 kutitë e Bashkisë së Elbasanit. Në qytet, Partia Socialiste udhëheq me një diferencë prej rreth 1 mijë votash, kundrejt Partisë Demokratike. Ndërkohë në qytetet e tjera të qarkut si Peqin, Gramsh dhe Librazhd, i vetmi që duket se do të përfundojë procesin e numërimit është Peqini, ku kryeson Partia Demokratike, me një diferencë prej 1500 mijë votash. Në Gramsh dhe Librazhd në total me rreth 2 mijë vota, udhëheq Partia Socialiste. Këto qytete kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten, të paktën sipas shifrave, bastion i Partisë Socialiste, pavarësisht faktit se në zgjedhjet e 2007-ës në Gramsh, bashkinë e qytetit e fitoi Partia Demokratike.
Edhe në Qarkun e Elbasanit nuk kanë munguar problemet gjatë procesit të votimit. Kryetari i KZAZ-së, Kushtrim Aliaj u shpreh se procesi i numërimit të votave po ecën me ritëm të ngadaltë dhe kjo si pasojë e ndërhyrjes së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste, të cilët e kanë pezulluar disa herë votimin, duke urdhëruar anëtarët e tyre në grupet e numërimit. Gjithsesi, procesi i numërimit të votave vijon normalisht në pesë grupet e tjera të numërimit, ndërsa në një nga këto ai është bllokuar për shkak të pretendimeve që kanë përfaqësuesit e PS-së për pavlefshmërinë e votave. Mbi ritmin e numërimit, ky proces në Qarkun e Elbasanit pritet të vijojë minimalisht edhe 48 orë të tjera, deri në numërimin e 550 QV që ka ky qark.
qarku ELBASAN
Alenca e Ndryshimit
PD 30609 vota
PR 1934 vota
PAA 836 vota
PDI 430 vota
PAD 316 vota
BLD 531 vota
PLL 464 vota
AMIE 37 vota
PADS 122 vota
PBK 81 vota
Bashkimi per Ndryshim
PS 36140 vota
PSD 1331 vota
PDS 360 vota
PBDNJ 835 vota G99 611 vota
Aleanca Soc. për Integrim
LSI 4008 vota
PSV 244 vota
321 qendra nga 550 gjithsej