Ekstradohet Ziko Lena, i dënuar për trafikim fëmijësh në Greqi
TIRANE – Interpol Tirana ekstradoi dje nga kryeqyteti grek, Ziko Lenën, i dënuar me 21 vjet burg me akuzën e “trafikut të të miturve”. Sipas policisë, 60-vjeçari nga Pogradeci ishte shpallur në kërkim, pasi ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila e dënoi atë me mungesë, më 5 prill të vitit 2006. Sipas njoftimit për shtyp të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Ziko Lena, në dhjetor të vitit 2001 ka siguruar kalimin e një gruaje shqiptare drejt Greqisë, duke e strehuar atë në një klinikë në Greqi, pasi ajo ishte shtatzënë. Pas lindjes së fëmijës, Ziko Lena, i ndihmuar edhe nga bashkëshorti i gruas, e kanë shitur fëmijën kundrejt shumës së 500 mijë lekëve dhe e kanë kthyer sërisht gruan në Shqipëri. Hetimi ndaj Ziko Lenës ka filluar më 18 mars 2004, në akuzën e trafikut të fëmijëve. Lena është kallëzuar nga Mimoza Sadikllari, e cila gjatë bashkëjetesës me një person nga Maliqi ka lindur katër fëmijë. Mimoza ka qenë në gjendje të keqe ekonomike dhe Ziko Lena i ka blerë njërin nga fëmijët, kundrejt shumës së 300 mijë lekëve të vjetra. Ziko Lena i ka marrë asaj vajzën e quajtur Monika, në vitin 1997, kur vajza ishte vetëm 10-muajshe. Lena, që prezantohej vazhdimisht me emrin Kita çobani, e ka mashtruar gruan duke i thënë se fëmijën do ia jepte një çifti grek për adoptim. Në vitin 2000, Ziko Lena është riparaqitur në shtëpinë e Mimoza Sadikllarit dhe i ka blerë një tjetër fëmijë. Këtë herë ai i ka marrë Mateon, lindur më 10 qershor të vitit 1999, kur ai ishte vetëm 11 muajsh. Fëmija është shitur për 50 mijë lekë të reja, pasi ka qëndruar për disa kohë te “Motrat e Nënë Terezës”. Sipas dëshmisë së Mimozës, Ziko Lena i ka thënë asaj se do t’i jepte sërish para, në rast se mjeku në Greqi e merrte fëmijën. Fëmija është dërguar në Greqi, në klinikën e Janicës. Pasi ka shkuar në klinikë, fëmija është zhdukur pa asnjë gjurmë. Të dy këto raste të provuara nga organi i akuzës, kanë bërë që gjykata të kishte prova të mjaftueshme për dënimin e tij në mungesë, dënim të cilin do të nisë ta kryejë nga sot.