Edi Rama shmang raporterët e KE-së
Aristir Lumezi
Kryetari socialist Edi Rama ka shmangur takimin me raporterët e Këshillit të Evropës në Tiranë. Përmes një letre dërguar dy raporterëve, Rama u shpjegon pamundësinë e tij për tu takuar me ta, të cilët sapo kanë nisur takimet me personalitetet e larta të politikës shqiptare. Sipas Ramës, pamundësia e takimit me raporterët vjen për shkak të angazhimit të tij përmes një axhende të ngjeshur jashtë vendit. Dje paradite kryetari socialist ka qenë në Tiranë, ku ka bërë dhe deklarata publike, ndërsa pasdite, si nga bashkia ashtu dhe nga selia e Partisë Socialiste, nuk konfirmohet ikja e tij jashtë shtetit. Kreu socialist ka caktuar Eduard Shalësin dhe Ditmir Bushatin që të presin në selinë rozë dy raporterët, të cilët sipas një axhende të caktuar ditë më parë kanë nisur takimet në Tiranë. Por duket se letra e Ramës në adresë të tyre ka bërë që në takim të paraqitet vetëm njëri prej raporterëve, David Wilshire, ndërsa Jaakko Laakso nuk ishte i pranishëm në këtë takim. Bushati mësohet se ka informuar raporterin Wilshire për situatën politike në vend, standardet e arritura në zgjedhjet e 28 qershorit, por dhe zhvillimet e ditëve të fundit. Raporteri ka dashur të dijë më shumë rreth shkaqeve që çuan PS në bojkotin e Parlamentit pas krijimit të qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet, ndërsa nuk ka shprehur asnjë qëndrim rreth zhvillimeve mes maxhorancës dhe opozitës. Ndërsa deputeti tjetër socialist, ish-nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Eduard Shalësi është përqendruar në informimin e tij rreth raporteve mes pushtetit qendror dhe atij lokal, veçanërisht në atë që socialistët e konsiderojnë cenim të autonomisë së pushtetit vendor. Në funksion të këtij shqetësimi, të zgjedhurit socialistë në pushtetin vendor, kryesisht bashkitë kryesore të vendit, kanë dërguar një material të hollësishëm në Bruksel, ku informojnë rreth ndërhyrjeve të vazhdueshme të Qeverisë në kompetencat dhe të drejtat e pushtetit lokal. Dje pasdite, në vazhdim të takimeve të ngjeshura që dy raporterët po zhvillojnë me faktorë të ndryshëm politikë në Tiranë, janë takuar dhe me drejtuesit e delegacionit parlamentar shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KE-së, kryetarin e këtij delegacioni Ilir Rusmali dhe nënkryetarin, Kastriot Islami. Dy ditë më parë, Presidenti i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale në KE, Ian Mikalef, i kërkon opozitës të heqë dorë nga bojkoti dhe t’i kthehet dialogut me maxhorancën. “Mendoj se demokracia nuk është të bojkotosh atë që është proces demokratik. Gjëja e duhur në demokraci është dialogu. Siç e kam thënë edhe më parë, unë i inkurajoj partitë politike të hyjnë në dialog, por nuk është pritur për mirë. Nëse ka ndonjë bojkot të ndonjë procesi demokratik, ne kemi rënë dakord me qeverinë se do të ftohemi si kongres për të monitoruar zgjedhjet e ardhshme, jo sepse kemi ndonjë dyshim për procesin politik në këtë vend, por sepse duam të jemi këtu për të parë mënyrën e mbajtjes së zgjedhjeve”, u shpreh zyrtari i lartë i Këshillit të Evropës. Këtë deklaratë Ian Mikalef e bëri në aeroportin “Nënë Tereza” në përfundim të vizitës dhe takimeve të tij me personalitetet e larta të politikës shqiptare.