E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi mbjell me pemë tokën në qendër të Tiranës

 

Trualli në qendër të Tiranës vazhdon të jetë në qendër të debatit mes qeverisë dhe opozitës. Dje kreu i Ministrisë së Punëve Publike, Olldashi, ka inaguruar lulishten e re mes rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës. Madje në fjalën e tij ministri nuk e ka ftuar Kryetarin e Bashkisë Rama që të mbjellë pemë në lulishten e re. “Jam shumë i kënaqur, që kjo punë është përfunduar me mbledhjen e fidanëve të rinj, të cilët në një kohë optimale arrijnë t’i kthejnë këtij pellgu, qendrës së Tiranës, në një farë mënyre gjithë qytetit, këtë hapësirë të re dedikuar publikut”, u shpreh Ministri Sokol Olldashi. Gjatë fjalës së tij, Ministri Olldashi ftoi Kryetarin e Bashkisë se Tiranës, Rama, të kontribuojë në këtë hapësirë të gjelbër me mbjelljen e fidanëve të rinj. “Siç e vini re, atje kemi lënë një pemë pa mbjellë, është një kumbull e kuqe, e blerë me fondet e ministrisë dhe unë ftoj Ramën që të vijë ta mbjellë personalisht, sepse i kontribuon dhe ai kësaj hapësire të gjelbër të qytetit, duke vendosur një kumbull të kuqe”, është shprehur ai. Po dje ka reaguar edhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, lidhur me pronësinë e këtij trualli. Sipas agjencisë, toka iu është kthyer gabim pronarëve në vitin 2000. “Nisur nga pasaktësitë e konstatuara nga shqyrtimi i dokumenteve ligjor dhe hartografik të administruara, nisur nga lloji i pasurisë së përmendur në vërtetimin e pronësisë dhe nga pozicionimi i saj, nisur nga fakti që kjo pronë është transkriptuar për sipërfaqen 3510 metër katrorë, nga AKKP është krijuar ligjërisht bindja që trajtimi dhe pozicionimi i bërë nga ish-komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë, me vendimin e vitit 2000, nuk është i saktë, madje është tërësisht i kundraligjshëm. Ky fakt është vërtetuar dhe nga ekspertë të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe nga ekspertë të jashtëm të Institutit Gjeografik Ushtarak dhe konkluzioni i arritur nga grupet e ekspertëve është: prona e vjetër e pretenduar nuk ndodhet në vendin e njohur me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të vitit 2000. Kjo pronë ka qenë në pronësi të shtetit dhe asnjëherë nuk ka qenë në pronësi të ndonjë subjekti pretendues privat”, është shprehur Gert Seferi nga AKKP. Për këtë konflikt ka reaguar edhe shoqata e ndërtuesve. Sipas tyre, asnjë nuk ka të drejtë të ç’bëjë një leje ndërtimi. “Leja e marrë është e kuotuar nga ana financiare në të gjithë rrugën që ka bërë, që nga pronësia e tokës, marrëveshjet, studimet, projektet, detyrimet ndaj shtetit etj. Kundërshtimet mund të jenë vetëm ligjore, në rast të kundërt ato sjellin dëm për privatin, financat publike dhe mbi të gjitha krijojnë një klimë pasigurie për biznesin vendas dhe investitorin e huaj. I bëjmë thirrje të gjithë administratës publike që të bëjë me korrektesë detyrën e saj para dhënies së lejeve të ndërtimit dhe jo të krijojë konflikte me pasoja, si këto të kohëve të fundit”, është shprehur dje Drejtori i Shoqatës së Ndërtuesve, Maksim Muçi.

Bare: Olldashi heq vëmendjen

Deputetët socialistë, Besnik Bare dhe Eduard Shalësi në emër të PS-së iu përgjigjën deklaratave të ministrit të Transportit dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi, duke i cilësuar ato si përpjekje për të hequr vëmendjen e publikut. Deputeti socialist Besnik Bare, i gjendur në ambientet e lulishtes së re që u ndërtua nga punonjësit e Ministrisë së Transportit, e cila pretendohet nga socialistët se është tokë private, tha se: “Rishfaqja e ministrit të Transportit Sokol Olldashit ka për qëllim largimin e vëmendjes nga problemet e ditës”. “Rishfaqja e ministrit Olldashi ka si qëllim shfokusimin e vëmendjes së publikut nga ngjarja e rëndë e dhunimit të gazetarit që ka qenë më kritiku ndaj Qeverisë, nga grabitja e pronave në Orikum etj”, u shpreh Bare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›