Dibër, mbrëmë sërish lëkundje tërmeti
BULQIZE - Kur ende nuk është zgjidhur situata në zonat e prekura nga tërmeti i së dielës, lëkundje të tjera u ndjenë dje në qarkun e Dibrës. Sipas sizmikës, dyshohet se ato ishin në 3-4 ballë, ndërsa alarm për një tërmet të ngjashëm erdhi dhe nga rrethi i Librazhdit. Ndërsa lëkundje tërmeti kanë vazhduar herë pas here gjatë javës, banorët e komunave Shupenzë, Gjoricë qëndrojnë nga frika jashtë shtëpive. Kryetari i Komunës Shupenzë, Mois Llani, kampingu i ngritur pranë kësaj komune tashmë nuk ekziston. "Dje u detyruam ta prishim, sepse asnjë nga të mbeturit pa strehë nuk erdhi për t'u akomoduar aty", sqaroi Llani, ndërsa tha se këto çadra janë shpërndarë për familjet në nevojë. Deri dje janë shpërndarë në të gjitha fshatrat e komunës 180 çadra, për familje me banesa të dala jashtë përdorimit ose të dëmtuara rëndë. Por kërkesat vazhdojnë të vijnë çdo ditë në rritje. "Vetëm paraditen e djeshme janë regjistruar 70 kërkesa të reja për çadra", pohoi kryekomunari. Ndërkohë banorët, banesat e të cilëve nuk pësuan dëme serioze nga tërmeti i 6 shtatorit, vazhdojnë të qëndrojnë jashtë, nga frika e ndonjë lëkundjeje tjetër të tokës. Pas gjashtë ditësh, Kryqi i Kuq Shqiptar dërgoi në magazinat e rezervave të shtetit në fshatin Shupenzë dy kamionë me ndihmë, për zonat e prekura nga tërmeti i 6 shtatorit. Ndihmat e dërguara nga Kryqi i Kuq Shqiptar janë detergjente, dyshekë, shtretër, çarçafë, bidonë uji etj. Nuk është plotësisht e qartë nëse këto ndihma do të dërgohen në destinacion apo do të abuzohet me to siç ka ndodhur rëndom. h.p