Starton turi i Kuzhesë, nga Ukraina në Austri
Pas barazimit 1-1 kundër përfaqësueses së Danimarkës, trajneri i Shqipërisë, Josip Kuzhe ka përcaktuar një program të detajuar mbi vëzhgimin e disa lojtarëve të tij në kampionate të ndryshme të Evropës. Në fillim ai do të udhëtojë drejt Ukrainës për të ndjekur “derbin shqiptar” në Vyscha Liga (kampionati ukrainas), ku Krivbas i Bulkut, Agollit, Hidit e Bylykbashit do të luajë kundër Vorsklas së Dallkut, Currit e Januzit. Aktualisht skuadra e Krivbas është në një situatë të pakëndshme, pasi ndodhet në fundin e tabelës pas disa humbjesh radhazi. Ndërkohë gjatë javës së ardhshme, Kuzhe do të udhëtojë edhe drejt Austrisë për të vëzhguar nga afër takimin e parë në grupet e European League, ku skuadra e re e Hamdi Salihit, Rapidi i Vjenës do të presë gjermanët e Hamburgut. Kuzhe gjatë muajit të kaluar kishte vëzhguar nga afër sulmuesit e Kombëtares, Erjon Bogdanin, Besart Berishën dhe Edmond Kapllanin. Madje, këta dy të fundit edhe pse në stadium Kuzhe nuk mundi t’i shikonte në fushën e lojës me Arminian dhe Ausgburgun, pasi as Berisha dhe as Kapllani nuk u aktivizuan nga trajnerët e tyre respektivë.