E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen me drogë e municione, 2 në pranga

 

ELBASAN - Dy persona arrestohen në flagrancë në një aksion të policisë së Elbasanit, me një sasi droge dhe municionesh. Aksioni i koduar "Dërgesa e vonuar" ka zbuluar dy poseduesit, Nikolla Lepuri, 32 vjeç si dhe 35-vjeçarin Gëzim Balla. Forcat e policisë të përfshira në hetimin, e më pas arrestimin e dy personave nga Elbasani, ishin vënë në ndjekje të tyre. Gjatë ditës së djeshme, në bazë të përgjimeve të kryera, është mësuar lëvizja përgjatë rrugës nacionale që lidh Peqinin me Elbasanin. Mbrëmjen e së premtes, një postbllok policie ka bërë ndalimin e mjetit ku udhëtonin Balla dhe Lepuri, persona të skeduar më parë nga ana e policisë për vepra të lehta penale. Dy shtetasit kanë qenë duke udhëtuar në drejtim të Elbasanit, me mjetin e tyre tip "Vollksvagen" me targa CA 2021 KT, në momentin që janë ndaluar. Menjëherë është bërë shoqërimi i tyre në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, ndërsa mjeti i është nënshtruar një kontrolli të imtësishëm. Brenda sediljeve të pasme, sipas policisë, është gjetur një sasi lënde narkotike prej 113.3 gramësh, e dyshuar si heroinë. Mendohet se droga ishte e destinuar për përdoruesit e saj në qytetin e Elbasanit. Gjithashtu, po gjatë kontrollit të mjetit, në bagazhin e tij është gjetur dhe një sasi prej 600 gramë lënde shpërthyese, e llojit tritol, ndërsa në banesa 26 fishekë dhe një krëhër automatiku. Ndaj dy personave u vendos masa e arrestit, me akuzën e "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike" dhe "prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake".             a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›