Lushnja fiton e kryeson, Bylis ndalet në Burrel
Leonard Karaj
Lushnja fiton dhe kryeson e vetme Kategorinë e Parë. Bylisi ndalet në Burrel, ndërsa Partizani shkatërron Sopotin në “Selman Stërmasi”. Elbasanit dhe Skraparit u mjafton nga një gol, barazim në dy takimet e tjera. Java e tretë tek inferiorët ka nxjerrë në krye Lushnjën, e cila kryeson e vetme e ndjekur nga Partizani, Bylis dhe Elbasani. Praktikisht katër skuadrat që zbritën sezonin e fundit nga Superiorja në të Parën po dominojnë edhe këtë kategori, duke lënë pas 12 ekipet e tjera. Lushnja iu fal goleadorit Dorian Bubeqi, aktualisht golashënuesi më i mirë i kësaj kategorie dhe Arbërit në përballjen me Adën e Velipojës. Ndërsa Partizani fitoi bindshëm 3-1 me Sopotin e Librazhdit, një takim i ndjekur ky edhe nga presidenti i klubit të kuq, Albert Xhani. Për “demat e kuq” të Eduard Zhupës shënuan në pjesën e parë: Arjan Sheta (28’), Skerdi Bejzade (32’) e Artan Karapici (36’). Për miqtë nga Librazhdi golin e flamurit e shënoi Marildo Lezi (65’). Burreli fitoi 1-0 me Bylisin, falë një goli të Zenel Radajt, që “shijoi” përveç kënaqësisë të çuarit e topit në rrjetë dhe ndëshkimin me karton të kuq nga gjyqtari tiranas Rama. Elbasani fitoi 1-0 me Turbinën e Cërrikut me një gol të realizuar nga shkodrani Jasmin Rraboshta (30’). I njëjti rezultat edhe në Skrapar, ku vendasve u mjaftoi goli i Andi Lames për të sigluar fitoren e parë pas dy barazimesh në dy javët e para. Gramshi e Besëlidhja ndanë nga një pikë në barazimin 1-1: Gabriel Auia (40’) për gramshiotët dhe Sokol Toma 47’) për lezhjanët ishin dhe autorët e golave. Barazim edhe në Memaliaj-Luftëtari. Shënoi i pari Zhargalliu, ndërsa për memaliotët barazoi Bullgari. Takimi Pogradeci-Kamza do të luhet nesër në stadiumin e Korçës.