Misteri, zbulohet skeleti me pranga në oborrin e shtëpisë
DURRES/ OERD ULQINI
Një ekzekutim barbar, ku viktimës i janë prangosur duart, ka dalë në dritën e diellit pas shumë dekadash. Skena rrënqethëse është paraqitur përpara syve të fermerit Skender Preza, teksa ky i fundit po hapte një pus për vaditjen e të mbjellave. Një skelet njeriu, i lidhur në duar me pranga i ka "mbirë" befas përpara syve. Në pak sekonda ai është tronditur, por e ka mbledhur veten shpejt, duke u kthjelluar se ndodhej përpara një skene krimi. Bujku ka ndërprerë gërmimet për hapjen e gropës, duke lajmëruar me urgjencë sallën operative të policisë së Durrësit. Skeleti u gjet i lidhur në mes të një are, afro 4-5 metra nën tokë, pak kilometra larg fshatit Katund-Sukth. Në vend mbërritën me urgjencë specialistë të kriminalistikës nga policia e Durrësit, të cilët duke gjykuar nga prangat e lidhura në gjymtyrë, nxorën konkluzionin se është zbuluar pas shumë dekadave një krim i vjetër. Madje krimi është i sofistikuar, pasi vrasësit e asokohe nuk kanë bërë vetëm ekzekutimin, por edhe fshehjen e gjurmëve, (okultimin e kufomës) duke e varrosur trupin e pajetë disa metra nën tokë, me shpresën se e vërteta nuk do të zbulohej kurrë. Nga goditjet e makinerisë shpuese, që hapte pusin, skeleti është dëmtuar, ndaj mbledhja e copëzave të tij u krye në një thes të veçantë. Në bazë të gjykimeve të para dhe nga struktura e formuar e kockave, mendohet se viktima ka qenë e seksit mashkull dhe në moshë madhore. Por përgjigjen përfundimtare mbi seksin do ta japë laboratori i specializuar. Prangat me të cilin ishte lidhur viktima datojnë periudhën e Luftës së Dytë Botërore, nga ato me të cilat ushtria pushtuese gjermane ishte e pajisur. Por kjo nuk do të thotë asgjë, pasi ato pranga mund të jenë përvetësuar më pas nga komunistët, të cilët në fillim të viteve '50 nisën një fushatë shfarosëse ndaj atyre që shpreheshin kundër regjimit totalitar. Për të gjykuar mbi vjetërsinë e këtij krimi janë dërguar në laboratorin e policisë shkencore copëza skeleti, si dhe prangat të cilat mbanin lidhur duart. Por me një gjykim paraprak mendohet se vrasja mund të jetë kryer afro 50-65 vite më parë. Deri më tani, kur gjendemi në fazën e supozimeve, hamendësohet se mund të jetë ndonjë krim i kryer nga komunizmi, por edhe ndonjë ekzekutim gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për të hetuar këtë ngjarje, policia i është drejtuar arkivave, historianëve, por edhe laboratorëve ku copëza të skeletit do t'i nënshtrohen ekzaminimit të ADN-së. Dekompozimi prej vitesh i kufomës ka zhdukur trupin, duke e bërë akoma më të vështirë mënyrën e ekzekutimit, të këtij personi. Zona përreth Sukthit, e deri në fshatin Perlat, ka qenë vend internimi gjatë komunizmit, ndërkohë që pak kilometra më tutje ndodhej kampi i përqendrimit nazist të Porto-Romanos. Deri më tani këto janë supozimet më të bazuara, që mund të shpjegojnë këtë krim makabër. Policia do ta hetojë me shumë kujdes indicionin e kësaj vrasjeje, pasi nga gërmimet e mëtejshme në kantier, mund të ridalë në dritë edhe ndonjë varr masiv, konkluzion ky që nuk përjashtohet aspak nga hetuesit.
Dyshime për varr masiv
Dyshime për ekzekutime të tjera. Nuk përjashtohet mundësia që pranë "varrit" të sajuar për viktimën e gjetur dje, të ketë të tjerë skelete të personave të ekzekutuar në fshehtësi të plotë, dekada më parë. Sipas grupit hetimor, në të ardhmen mund të kryhen të tjera gërmime pranë zonës ku u zbulua skeleti, për të konfirmuar dyshimet për varr masiv. Vendimi pritet të merret pas konkluzioneve mbi viktimën e zbuluar ditën e djeshme.