Zjarret shkrumbojnë shtëpi e dhjetëra hektarë ullishte
LEZHE/FIER - Zjarret shkrumbojnë disa banesa në Mirditë dhe Fier, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme për dhjetëra hektarë pyje e ullishte. Numri i shtëpive të djegura në Lezhë, si pasojë e përhapjes së flakëve nga malet e Mirditës, arriti në katër. Të ndihmuara edhe nga era, flakët kanë përparuar shumë shpejt, ndërsa zjarrfikëset për shkak të terrenit të thyer e kanë pasur të pamundur të ndërhyjnë. Ndërhyrja e zjarrfikësve është bërë e mundur vetëm dje paradite, duke izoluar zjarrin. Ndërkohë që më parë ishte bërë evakuimi i banorëve të zonës, ku edhe rrezikoheshin të digjeshin shtëpitë e tyre. Të dhënat përfundimtare flasin se janë djegur mbi 300 ha pisha dhe katër banesa. Ndërkohë një zjarr me përmasa të frikshme ra dje edhe në kodrat e Levanit në Fier. Vetëm në pak kohë, flakët përfshinë 10 hektarë ullishta dhe dru dushku. Ende nuk dihen rrethanat e rënies së zjarrit, por sipas banorëve të zonës, flakët u shfaqen fillimisht në një zonë me shkurre. Disa shtëpi u rrezikuan ndërsa në vend mbërritën 40 forca zjarrfikëse, të cilët bënë të mundur lokalizimin e flakëve që të paktën të mos përhapeshin më tej. Mësohet se dy shtëpi ishin mjaft të rrezikuara deri në momentin kur flakët u vunë nën kontroll. r.n/ m.r