Grabitet me armë lokali i basteve, terror klientëve
FUSHE KRUJE
Grabitet nën kërcënimin e armës lokali i basteve sportive në qendër të qytetit të Fushë-Krujës. Ngjarja ndodhi në sy të 15 personave, të cilët përjetuan momente tmerri e paniku ndërsa autori shkatërroi me të shtëna të gjithë kompjuterët. Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 23:15 të së premtes, kur lokali "Eurolloto" me administrator A. K., është grabitur me armë zjarri. Autori tashmë i identifikuar nga policia, Ismet Rryqi, ka mundur që pasi të zbrazë arkën me 400 mijë lekë të reja të zhduket pa lënë gjurmë të destionacionit të tij. Identifikimi i tij u bë në bazë të dëshmive nga personat që u ndodhën brenda në lokal. Sipas dëshmitarëve, grabitësi i armatosur me kallashnikov, pasi mori lekët, u largua nga vendngjarja, duke shfrytëzuar një makinë tip "Benz" 270 me targa të Kosovës. Policia ka njoftuar të gjitha pikat kufitare mbi identitetin e grabitësit, pasi ka dyshime se ai mund të tentojë të largohet. Klientët e lokalit janë kërcënuar nga ana e 40-vjeçarit se do të vriteshin të gjithë, nëse ndonjëri prej tyre do të tentonte që ta ndalonte atë. Më pas ai ka nisur të qëllonte mbi aparaturat, të cilët ishin në punë duke i shkatërruar plotësisht ato. Të gjithë personat që janë ndodhur brenda janë detyruar që të shtrihen përtokë dhe të qëndronin pa lëvizur. Kur pronari i lokalit i dorëzoi të gjitha paratë, Rryqi është larguar. Këtu mori fund edhe terrori tek klientët e lokalit, të cilët njoftuan menjëherë policinë. Për fat të mirë asnjëri prej tyre nuk u lëndua nga plumbat e kallashit të shtënë në mënyrë të pakontrolluar nga ana e 40-vjeçarit. Të shtënat e armës kanë tërhequr vëmendjen e bluve, të cilët u sinjalizuan shumë shpejt edhe nga pronari dhe klientët e lokalit të basteve. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale disa gëzhoja. Gjithashtu u morën edhe dëshmi të personave, mbi bazën e të cilave u identifikua edhe 40-vjeçari nga Thumana. Sipas policisë, dyshohet se autori ka qenë në gjendje të dehur, pasi ai njihej si konsumues i rregullt i pijeve alkoolike. Në kërkim të tij janë vënë të gjithë forcat e policisë në qark, deri në ndalimin e personit të armatosur. r.n/o.u