E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrabanda e kromit, policia patrulla 24 orë



BULQIZE - Efektivë të shumtë të drejtorisë së policisë së Qarkut Dibër dhe ata të komisariatit të Bulqizës kanë patrulluar gjatë gjithë natës segmentin rrugor nga Qafa e Buallit deri në zonën D. Sipas tyre, ka pasur informacione për rikthimin e kontrabandistëve në minierat dhe stoqet e kromit. Policia nuk bëri të ditur nëse do të ketë arrestime të personave të dyshuar se kanë grumbulluar dhe transportuar krom në rrugë të paligjshme, por nga verifikimet e bëra gjatë kontrollit të makinave të tonazhit të lartë ka rezultuar se tani trafikantët po përdorin metoda më të sofistikuara për shitjen e kromit. Pikërisht atëherë kur ishte menduar se kontrabanda ishte ndalur, pasi Task Forca dhe policia kishin bërë punën e tyre me evidentimin e të gjitha subjekteve të ligjshme, rishfaqen individë që kërkojnë të sfidojnë policinë duke transportuar krom në kundërshtim me ligjin. "Kemi qëndruar gjithë natën në rrugën nacionale për të kontrolluar mjetet që transportonin krom nga Bulqiza apo Martaneshi. Oficerë të krimit ekonomik pranë Drejtorisë së Qarkut Dibër kanë kontrolluar me imtësi dokumentacionin e makinave të tonazhit të lartë. Janë grumbulluar shumë të dhëna dhe mund të ketë arrestime, por hetimet nuk kanë përfunduar. Po hetohet rreth mundësisë së transportimit të kromit me dokumente të falsifikuar. Kontrabandistët prej kohësh sigurojnë nga firmat e licencuara dokumente për transportin e kromit që kanë grumbulluar në mënyrë të paligjshme", pohuan burime të policisë së Bulqizës. h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›