E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dibra: "Do të shmangen nga kandidimi figura, të cilat kanë krijuar probleme"

17/12/2004  Sekretari Organizativ në Partinë Socialiste, Agron Dibra, është shprehur në një intervistë të dhënë për "Metropol" se PS për zgjedhjet parlamentare nuk do të rikandidojë ata deputetë që kanë qenë problematikë në qëndrimet e tyre apo që kanë krijuar kosto elektorale. Për këtë, Dibra është shprehur se konstituimi i Komisioneve Zgjedhore Zonale do të jetë një element i rëndësishëm që do të ndikojë në këtë çështje. Nga ana tjetër, sekretari Dibra shprehet se ka nisur puna për ndryshimin e Statutit të PS-së. Edhe pse ndryshimet janë bërë një vit më parë, Dibra thotë se do të ketë dhe një sërë pikash, që duhet të sistemohen dhe më mirë. Këtu ai ka theksuar qartësimin e hierarkisë në parti. Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se raportin politik të zhvillimeve në PS do ta zbardhë në Kongres kryetari i PS-së, kurse platforma elektorale do të zbardhet po në kongresin e muajit janar prej sekretarit të Përgjithshëm Gramoz Ruçi. Janari duket se do të jetë një muaj tejet i rëndësishëm për socialistët, pasi në këtë muaj do të nisë dhe gara për kandidaturat për deputet në Partinë Socialiste.

Deri në çfarë faze është puna për ngritjen e Komisioneve Zonale Elektorale?

Procesi politiko-organizativ dhe zgjedhor, që ka të bëjë me ngritjen e strukturës së re të Komiteteve Zonal Elektoral, vazhdon. Është një proces që do të mbyllet deri më datën 25 janar të vitit 2005. Në fazën e tanishme jemi në momentin kur vetë organizatat socialiste po bëjnë propozimet për kandidaturat për kryetar, nënkryetar dhe sekretar të KZE-ve. Këto janë tre figura politike drejtuese të KZE-së që do t'i nënshtrohen votimit sipas parimit të ri "një anëtar, një votë". Ndërsa, anëtarët e KZE-ve do të zgjidhen nga këshillat përkatëse. Numri që do të përbëjë anëtarësinë e KZE-ve miratohet nga kryesitë e rretheve dhe është një proces i përfunduar. Nga monitorimi që po i bëjmë të gjithë sektorëve të PS-së në vend, shohim që po respektohen afatet e vendosura nga Komiteti i Përgjithshëm Drejtues për t'i konstituuar brenda 25 janarit të vitit 2005.

Kush janë kriteret në të cilat do të bazohet PS-ja për të nxjerrë kandidaturat për deputet për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005?

Nuk është hera e parë që PS-ja merr pjesë në konkurrime politike të këtij lloji dhe gjithmonë partia ka vendosur kritere shumë rigoroze, korrekte, përzgjedhëse për kandidaturat për parlamentin shqiptar. Natyrisht, si gjithmonë, dhe këtë radhë do të synojmë që kandidaturat të jenë dinjitoze, të jenë personalitetet më të mira nga të gjitha fushat, si nga bota politike, akademike, shoqëria civile, intelektualë, pasi PS-ja ka qenë gjithmonë e hapur për të thithur të gjitha kapacitetet që ka shoqëria shqiptare për të dhënë kontributin e tyre në integrimin dhe zhvillimin e këtij vendi. Ne kemi deklaruar se integrimi i Shqipërisë nuk është vepër vetëm e socialistëve, por do të jetë kontributi i gjithë aktorëve dhe faktorëve të rëndësishëm që ka vendi për të dhënë ndihmesën e tyre në këtë proces shumë jetësor. Natyrisht do të shmangen nga kandidimi figura, të cilat kanë krijuar probleme, kanë krijuar kosto, nuk kanë qenë në parametrat e nevojshëm, aktivë dhe që nuk kanë qenë në sinkron me premtimet që kanë bërë ndaj elektoratit. Nuk do të kandidojnë ata persona që nuk janë ngritur në lartësinë e figurave të liderëve lokalë në kuptimin e mirë të fjalës. Natyrisht, mekanizimi që do të përdoret në përzgjedhjen e këtyre kandidaturave do të ndihmojë akoma më shumë në arritjen e standardeve të figurave të përfaqësimit, sepse ata do të zgjidhen sipas parimit "një anëtar, një votë" në zonën zgjedhore. PS-ja këtë radhë, ndryshe nga herët e tjera, do të realizojë një përzgjedhje shumë dinjitoze, konkurruese dhe natyrisht fituese.

Çfarë po bëjnë grupet e ngritura brenda strukturave të PS-së si për ndryshimin e programit dhe statutit të kësaj partie?

Grupet që janë ngritur në kuadrin e Kongresit jozgjedhor, që do të mblidhet më 29 janar të vitit 2005, do të jenë ato që do të merren me përgatitjen e raportit politik, që do ta mbajë kryetari i partisë, Fatos Nano dhe po përgatit platformën elektorale të partisë, që do të bëhet publikë në Kongres nga sekretari i Përgjithshëm i PS-së. Në këtë grup janë personalitetet më të mira të partisë dhe ekspertët më të mirë nga fusha të ndryshme për të kontribuar që kjo platformë të jetë sa më konkrete dhe sa më e kuptushme nga elektorati shqiptar në të gjitha shtresat e tij, duke e bërë më atraktive, për të gjetur më pas mbështetjen e zgjedhësve në votim. Ndëkohë, një grup po punon për përmirësimet e mëtejshme të statutit të PS-së. Vërtet statuti pësoi ndryshime të rëndësishme në Kongresin e 12 dhjetorit të vitit 2003, por jeta politike, zgjedhore dhe organizative e partisë ka nxjerrë gjëra të reja, të cilat hasin andikape si hierarkia në parti dhe çështje që kanë të bëjnë më veprimin më dinamik të strukturave për një bashkëpunim më të mirë të tyre. Ne po i thithim gjithë këto sensibilitete dhe këto handikape që kanë rezultuar gjatë kësaj kohe për t'i shqyrtuar në grupin e ngritur në funksion të organizimit të partisë. Rezymeja e këtj grupi pune do të paraqitet në Kongres për të marrë një miratim nga kjo strukturë e partisë.

A do të përfshihen propozimet që ka bërë Petro Koçi në ndryshimet në statut?

Petro Koçi është anëtar i grupit të punës për ndryshimet në statut dhe kryetar i Komisonit të Organizimit. Prandaj procesi është i lidhur me këto propozime për statutin e PS-së.

Çfarë do të sjellë kongresi i PS-së?

Në këtë kongres do të pasqyrohet raporti politik, paraqitja e platformës elektorale, raporti për ndryshimet në statut, do të ketë dhe diskutime, debate për shumë çështje të tjera. Ky është një kongres për të bërë një bilanc të punës njëvjeçare, ku do të shikohen prioritetet politike dhe qeverisëse të vitit 2004 dhe ato që nuk janë realizuar. Cilat do të jenë mesazhet që PS-ja do të japë për një qeverisje më të mirë për 2005 dhe më gjerë, dhe mesazhet që partia do të japë në objektivin politik të saj për të fituar zgjedhjet e ardhshme. Kështu, Kongresi do ta ngrejë në një nivel më të lartë partinë, për ta aktivizuar më shumë, duke ndezur motorat për fushatën elektorale.

Marrëdhëniet me aleatët e "Koalicionit për Integrim" do të përcaktohen nga Kongresi apo...?

Siç është bërë publike dhe nga takimi i gjithë kryetarëve të partive, që janë pjesë e koalicionit, kërkesat e aleatëve janë lënë të rishikohen pas analizave që do të bëjë secili dikaster i qeverisë në janar të vitit të ardhshëm. Në bazë të këtyre analizave, besoj nuk do të mungojë as vullneti i partisë, por dhe as e kryetarit të partisë, zotit Nano, për të bërë ndryshimet për përmirësimin e imazhit, efektivitetin dhe për të rrituar besimin e qeverisjes nga gjithë shoqëria shqiptare ndaj "Koalicionit për Integrim". E gjithë kjo do të na shërbejë për të gjithë fushatën e vitit 2005, ku PS-ja do t'i drejtohet të gjithë shqiptarëve për t'i dhënë kësaj partie të drejtën e vazhdimësisë në qeveri dhe pas vitit 2005.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›