Mustafaj: BE është kundër Nano qeverisje
17/12/2004 Partia Demokratike ka deklaruar dje se rrëzimi i qeverisë së kryesuar nga maxhoranca në zgjedhjet e ardhshme është një ndër rekomandimet e dhëna nga komuniteti ndërkombëtar. Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PD, Besnik Mustafaj, gjatë një konference për shtyp, ka dhënë detaje më të zgjeruara nga takimi i zakonshëm i parlamentit shqiptar me delegacionin e europarlamentarëve për Evropën Juglindore, të kryesuar nga Doris Pack. Mustafaj tha se gjatë bisedemive, eurodeputetët, për sa i përket qeverisjes aktuale, janë shprehur se "Evropa njeh qeverisje të mirë, qeverisje të keqe dhe Nano qeverisje. Nano qeverisja do të thotë jo qeverisje", tha Mustafaj. Për përfaqësuesit e PD-së, në këtë takim nuk ka qenë vetëm kryetarja e delegacionit, ajo që ka bërë deklarata kritike për qeverisjen shqiptare, por edhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian, që drejtojnë procesin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, si dhe delegacioni holandez, që ka Presidencën e radhës të BE-së. Mustafaj tha se europarlamentarët kanë kërkuar një proces të lirë dhe të ndershëm, si kushti kryesor për integrimin e vendit në BE. "Të trija këto segmante shumë të rëndësishme, thelbësore dhe që përbëjnë BE-në, ishin të të njëjtit mendim se, pa zgjedhje të lira dhe të drejta në Shqipëri nuk ka integrim në BE. Dhe se përgjegjës kryesor dhe kushtetues për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta në Shqipëri është vetëm qeveria shqiptare. Çdo tentativë për përfshirjen në procesin zgjedhor të biznesit të inkriminuar të njerëzve me lidhje me krimin e organizuar, apo parave të pista është në dëm të Shqipërisë, është në dëm të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit, është në dëm të marrëdhënieve të Shqipërisë me BE-në", tha Mustafaj.