Çelsi: Sheva kushton 80 milionë euro

16/12/2004 Ka qenë një ofertë marramendëse ajo, të cilën, ia kanë paraqitur blutë e Londrës, Milanit për transferimin e Andrij Shevçenkos. Pa dyshim që bëhet fjalë për shifrën më të lartë, e cila është bërë ndonjëherë për një futbollist. E megjithatë, klubi kuqezi ka deklaruar se, nuk i bën aspak përshtypje kjo ofertë tepër tunduese e Çelsit, të padron Roman Abramoviç, i cili vazhdon akoma të çudisë futbollin evropian. Po ashtu, edhe menaxheri i sulmuesit ukrainas, Oskar Damiano, ka reaguar njësoj si drejtuesit e klubit të Milanit, duke i thënë një “jo” të madhe, pretendimeve të Çelsit. Një nga pikat, e cila mund të shërbente si zgjidhje e kësaj çështjeje të ngatërruar, do të ishte sulmuesi argjentinas, të cilin skuadra e Murinjos, e ka dhënë borxh te Milani. Kështu, hipoteza kryesore për bërjen realitet të ëndrrës së Çelsit, mund të jetë pikërisht Krespo, të cilin trajneri portugez do të preferonte t’ia linte milanistëve, vetëm e vetëm që të arrinte në transferimin e Shevçenkos. Sidoqoftë deri më tani, asnjë prej këtyre ofertave nuk janë vlerësuar zyrtarisht nga ana e klubit kuqezi, i cili vazhdon të qëndrojë i palëkundur, në mbajtjen me çdo kusht në skuadër të yllit ukrainas. Sheva, i cili sapo ka fituar çmimin e “Topit të Artë”, duke u shpallur njëkohësisht futbollisti më i mirë në Evropë, ka një kontratë me Milanin, që skadon deri në vitin 2009. Ai përfiton nga kjo kontratë, vlerën e 5.2 milionë eurove në sezon.