E Diel, 1 Nëntor 2026

Federata dënon Vengerin

17/12/2004  Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, është shpallur fajtor nga Federata Angleze e Futbollit, si rezultat i akuzave të bëra për “sjellje të pahijshme” kundrejt komenteve, drejtuar holandezit Rud Van Nistelroi. Kështu, komisioni i disiplinës pranë kësaj Federate, ka marrë vendimin, duke patur parasysh proçedurat hetimore të kryera. Trajneri francez është ndëshkuar me një gjobë, të vlerës 15.000 stërlina, si dhe me një “vërejtje zyrtare”. Akuzat ndaj tij kanë qenë të përqendruara më tepër në fjalët e drejtuara sulmuesit holandez, të cilin e ka quajtur “një mashtrues të lindur”. Nga ana tjetër, Venger i ka mohuar publikisht akuzat e ngritura ndaj tij, por ka theksuar se, nuk do të apelonte kundër vendimit të marrë nga Federata Angleze. “Tashmë ka ardhur koha për të reaguar, ka thënë Venger. Ne shumë shpejt do të përballemi me një ndeshje të rëndësishme dhe mendja ime është përqendruar vetëm aty”. Arsen Venger nuk ka qenë prezent për seancën e zhvilluar në Londërk, por u dënua në mungesë. Mbi të gjitha, drejtuesit e Federatës nuk kanë harruar të paralajmërojnë trajnerin francez, lidhur me përmirësimin e sjelljes së tij në të ardhmen. Polemikat u ndezën më shumë kundrejt Venger, pas komenteve që ai ka bërë në televizion, lidhur me takimin e humbur 2-0, të Arsenalit në “Old Traford”. Ai në komentet e tij kishte thënë: “Ne e njohim të gjithë, atë çfarë di ai të bëjë, është vetëm mashtrimi i të tjerëve”. Po ashtu, komisioni i disiplinës pranë Federatës, në vendimin e marrë ka patur parasysh edhe komentet e bëra, kundrejt gjyqtarit Majk Rili, lidhur me penalltinë e dhënë, në favor të Mançester Junajtid.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›