E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitalet, qeveria standarde të ndryshme për privatët

 

zirina llambro

Dy standarde për vlerësimin e spitaleve. Ndërsa sektori publik nuk ka penalizime e kushte për të plotësuar, privati vihet në morsë. Këtë përcakton vendimi më i fundit të qeverisë. Në të, janë sanksionuar një sërë kriteresh për të marrë licencën,si dhe masat për rastet e shkeljeve. “Spitalet publike, që janë hapur para hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe vazhdojnë të funksionojnë, nuk i nënshtrohen zbatimit të këtij”, ka përcaktuar qeveria. Ndërkaq, përpara se një spital privat të marrë lejen e ndërtimit, duhet të ketë miratimin e Ministrit të Shëndetësisë. Ky është një rregullat i  ri i vendosur për ushtrimin e aktivitetit spitalor në vendin tonë. Nga sa thuhet në vendim licencat për spitalet jepen me urdhër të Ministrit të Shëndetësisë, në përputhje me kriteret e vendosura. Komisioni përkatës në këtë dikaster do të vlerësojë nëse plotësohen apo jo kushtet për privatët, ndërsa për publikët një tjetër strukturë e ministrisë do të bëjë monitorimin.  “Ministri i Shëndetësisë shfuqizon licencën e spitalit dhe urdhëron mbylljen e tij, në rastet kur vërtetohet njëra nga situatat e përcaktuar në vendim”, thuhet në të. Kështu spitalet do të mbyllen nëse nuk plotësojnë kushtet e nevojshme për ushtrimin e veprimtarisë spitalore, sipas kritereve të përcaktuara në licencë apo shkelin ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi. E njëjta masë do të merret edhe për moszbatim, brenda kushteve dhe afateve, të detyrave të lëna nga Ministria e Shëndetësisë, për korrigjimin e shkeljeve. Gjithashtu në rast se nuk ushtrohet veprimtaria për një vit nga data e miratimit të licencës, ministri ka të drejtë ta heqë atë.
Kriteret për hapjen e spitalit
Infrastrukturë që duhet t’i përshtatet kushteve që ka vendosur qeveria. Kjo si për madhësinë e dhomave, të cilat nuk duhet të jenë më të vogla se 8 m2, por edhe për higjienën, ujin e energjinë elektrike në 24 orë. ”Në dhomat e pacientëve për çdo shtrat duhet të ketë një pajisje qendrore oksigjeni, ndërsa sallat operatore duhet të jenë minimumi 30 m2”, thuhet në vendim. Këtë kusht spitalet publikë aktuale nuk e plotësojnë. Pajisja e oksigjenit për komplikacionet e mundshme, mungon edhe në reanimacionin e disa prej shërbimeve kryesore. Kjo ndoshta është një nga arsyet pse spitalet publike aktuale përjashtohen nga aplikimi i rregullave të reja. ”Spitalet e përgjithshme, ku numri i shtretërve është deri në 50, kanë të detyrueshme të kenë reanimacionin me të paktën dy shtretër”, ka përcaktuar qeveria. Po kështu urgjencat duhet të kenë të paktën një dhomë ekzaminimi, një dhomë ndërhyrje dhe një vend pritje për burrat dhe gratë të ndara veç e veç. Kushte të tjera të domosdoshme janë ruajtja e kartelave apo detyrimet për të sqaruar pacientët për procedurat mjekësore. Sa i përket pajisjeve, vendimi saktëson paketën bazë për departamentin e urgjencës si dhe një listë me rreth 100 medikamente, që nuk duhet të mungojnë për asnjë çast në farmacitë spitalore. Sakaq çdo spital duhet të jetë i pajisur me autoambulanca, të cilat duhet të kenë brenda pajisjet përkatëse të saktësuara në vendim. Sa i përket personelit mjekësor, që do të punësohet, ai duhet të këtë të gjitha kualifikimet e nevojshme sipas vendit të punës.

Kriteret e mbylljes së spitalit

1.    Ministri i Shëndetësisë shfuqizon licencën e spitalit dhe urdhëron mbylljen e tij, në rastet kur vërtetohet njëra nga këto situata:

     a) Mosplotësimi i kushteve të nevojshme për ushtrimin e veprimtarisë spitalore, sipas kritereve të përcaktuara në licencë.

    b) Shkelja e ligjeve dhe e akteve nënligjore, në fuqi.

    c) Moszbatimi, brenda kushteve dhe afateve, të detyrave të lëna nga Ministria e Shëndetësisë, për korrigjimin e shkeljeve.

    ç) Mosushtrimi i veprimtarisë për një vit nga data e miratimit të licencës.

2.    Ankimi kundër urdhrit të Ministrit të Shëndetësisë, për heqjen e licencës, bëhet në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›