E Diel, 1 Nëntor 2026

“Dibra i pabesë, u përdor për të më shkarkuar”



BURREL/ HASAN PASHA

Ka mbetur i shokuar pas vendimit për largimin e tij nga detyra ish-drejtori i burgut të Sigurisë së Lartë Burrel, Shkëlqim Gjoçuka. Ai tha për gazetën "Panorama" se vendimi ishte sa qesharak aq i pabazuar në ligj. Sipas tij nuk është dhënë asnjë motivacion për largimin nga detyra, gjë që bie në kundërshtim me ligjet dhe normat e shtetit shqiptar. "Vendimi ishte turpi i botës dhe për çudi mban firmën e ministrit të Drejtësisë dhe atë të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Gazmend Dibra", shprehet Gjoçuka. Ish-drejtori nënvizoi se është konsultuar me specialistë të drejtësisë dhe do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore për rikthim në vendin e punës dhe rikthimin e moralit të dëmtuar nga vendim i turpshëm dhe i pabazuar në ligj.
Zoti Gjoçuka, si kanë qenë kushtet kur u vu vendosët në krye të burgut të Burrelit dhe ç'marrëdhënie keni pasur me drejtorin e Burgjeve, Gazmend Dibra?
Marrëdhëniet e mia me drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve kanë qenë institucionale dhe mjaft korrekte. Unë kam punuar gjatë në ushtri dhe di të kuptoj e respektoj eprorët. Jam emëruar në krye të burgut të Burrelit në një kohë shumë të vështirë. Pas arratisjes së dy të dënuarve në këtë institucion të vuajtjes së dënimit ishte kthyer kaosi dhe rrëmuja. Falë përvojës sime të gjatë arrita jo vetëm ta normalizoj gjendjen në këtë burg, por krijova të tjera marrëdhënie mes administratës dhe të dënuarve. Gjatë kohës që unë kam drejtuar këtë institucion nuk është folur për dhunë mbi të dënuarit apo për abuzime të tjera, nga ato që kishin ndodhur më parë. Asnjëherë nuk jam qortuar apo kam pasur vërejtje nga DPB. Kontrollet e ushtruara nga Avokati i Popullit apo dikasteri i drejtësisë kanë kuptuar se në Burgun e Burrelit ka pasur normalitet dhe rregull. Unë ndërtova marrëdhënie mjaft të mira me vartësit e mi dhe me të dënuarit, duke dhënë tjetër mesazh për të dënuarit.
Atëherë pse ndodhi shkarkimi juaj nga detyra, cilat janë motivet e largimit nga puna?
Këtë nuk po arrij të kuptoj ende. Të mërkurën nëndrejtori i burgjeve më la në dorë një vendim të firmosur nga Nishani dhe Dibra. Ishte e shkruar e zeza mbi të bardhë: "Zoti Shkëlqim Gjoçuka shkarkohet nga detyra e drejtorit të burgut të Burrelit". U përpoqa të dija nga Lulzim Kodra cili ishte shkaku i largimit tim nga puna, por nuk mora një përgjigje. Zakonisht kur dikush largohet nga puna i dorëzohet dhe motivacioni, thuhet shkaku i largimit. Në rastin tim largimi është bërë pa asnjë motiv, pa asnjë shkak, thjesht dhe vetëm se unë nuk kam zbatuar urdhrat politikë të deputetit të PD-së, Bedri Hoxha, njëkohësisht kryetar i degës lokale të kësaj partie. Disa herë në zyrën time kanë mbërritur shkresa të PD-së për largime e emërime në punë të militantëve, por kurrë nuk kam pranuar t'i zbatoj ato. Në sistemin e burgjeve nuk mund të operohet me militantë partie. Kërkohen specialistë të zotë dhe jo politikë. Në burgun e Burrelit vuajnë dënimin njerëz të rrezikshëm të botës së krimit. Parë në këtë aspekt nuk mund të punësohen në administratë njerëz që thjesht kanë kontribute në fushata elektorale.
Pra, ju bëni një lidhje mes deputetit të Qarkut Dibër dhe drejtorit Dibra në rastin e shkarkimit tuaj?
Po kjo është e vërtetë. Prej kohësh jam ndjerë nën presionin e degës lokale dhe deputetit Hoxha, por nuk kisha menduar se Drejtori i Përgjithshëm Gazmend Dibra do të pranonte "argumentet" politikë të kryetarit të PD-së Mat. Në rastin tim Dibra nuk ka bërë gjë tjetër veçse është viktimizuar nga ky njeri. Do të ishte mëse normale që të isha thirrur para largimit, të paktën të më ishte thënë: Ju do të largoheni nga detyra e drejtorit. Kjo që bëri Dibra ndaj meje është pabesi, paburrëri, është e pandershme.
Mendoni se keni lënë gjurmë me punën tuaj në Burgun e Burrelit?
Kam drejtuar në këtë burg për rreth 2 vjet dhe them se kam bërë më të mirën e mundshme. Këtë e kuptoj pas largimit tim nga detyra. Punonjës të administratës më kanë telefonuar dhe më kanë shprehur solidaritet të plotë. Madje ata më kanë konfirmuar se edhe të dënuarve u ka ardhur keq pse jam larguar nga detyra. Të gjithë e kuptojnë se Gazmend Dibra më largoi nga detyra me copa letrash të njerëzve pa personalitet dhe pas këmbënguljes së degës lokale të PD-së Mat. Një mënyrë e tillë shkarkimi dhe emërimi do t'u kushtojë shumë burgjeve shqiptare.

"Do kërkoj rikthimin në rrugë ligjore"

Drejtori i shkarkuar, Shkëlqim Gjoçuka shprehet se do të veprojë në rrugë ligjore për t'u dëmshpërblyer, deri në rikthim në detyrë të tij. "Pas vendimit të pabazuar në ligj jam konsultuar me shumë juristë dhe të gjithë kanë shtangur se si largohet një drejtor burgu nga detyra pa asnjë lloj motivacioni. Unë nuk isha roje objekti në një institucion, unë isha drejtor i një burgu të rëndësishëm në vend. Do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për vënien e dinjitetit tim në vend. Jo vetëm do të kërkoj rikthimin në punë, por do ta konsideroj si skandal mënyrën e largimit tim nga detyra". Gjoçuka shprehet se pas konsultimit me juristët, mjafton vetëm vendimi i shkarkimit pa asnjë motivacion për të kërkuar dëmshpërblim financiar, por edhe rikthim në vendin e punës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›