Opozita, vetëm 15 minuta në Kuvend
erald kapri
Opozita bojkotoi Kuvendin pas vetëm 15 minutave prezencë në sallë. Seanca e djeshme nisi me diskutimin e deputetit të Partisë Socialiste Namik Dokle, i cili lexoi një deklaratë në emër të PS-së, ku deklaroi se opozita refuzon pjesëmarrjen në komisionin hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit. "Ne refuzojmë kategorikisht komisionin e njëanshëm dhe të padobishëm, dhe për më tepër, të grabitur këtu në Parlament nga votat e mandateve të vjedhura në të gjithë ruzhdiet e Shqipërisë", deklaroi Dokle. Pas përfundimit të deklaratës së deputetit PS-së, anëtarët e majtë të Kuvendit braktisën punimet e seancës. Në fjalën e tij, Dokle tha se opozita refuzon ofertën e Kryeministrit Sali Berisha për hetimin e zgjedhjeve nga 100 prokurorë, duke e cilësuar si një shkelje të të drejtës së opozitës për transparencë. "Ne refuzojmë çdo shpikje tjetër që synon ta futë transparencën në bodrumet e Qeverisë, duke i hequr opozitës të drejtën kushtetuese për ngritjen e komisionit hetimor, objektin e të cilit, edhe sipas konkluzioneve të Komisionit të Venecias, e përcakton vullneti i opozitës. Kjo e drejtë e saj, nuk mund të zëvendësohet as me 100 dhe as me 1000 prokurorë", vijoi Dokle. Në fund të fjalës, deputeti i PS-së theksoi se opozita do të vijojë protestat, duke shtuar se transparencën do e kërkojë edhe në Parlament. "Në Parlament, do të vazhdojmë të kërkojmë me durim dhe këmbëngulje, para së gjithash e mbi gjithçka të drejtën e transparencës së plotë e të pakufizuar", tha deputeti i PS-së.
Maxhoranca
Reagimi i maxhorancës ishte i menjëhershëm nëpërmjet kreut të grupit parlamentar të PD-së Astrit Patozi, i cili kërkoi në fillim të fjalës së tij prezencën e deputetëve të PS-së të cilët u larguan nga seanca. "Po krijoni një precedent të çuditshëm dhe absurd. Që mbasi mbaron loja, kërkoni që të përsëritet ajo, për shkak se nuk mund të pranoni që e keni humbur. E bëtë me zgjedhjet e 28 qershorit. Përveçse humbjes, që në çdo vend demokratik, nuk është fundi i botës, përfundimi ishte se i çuat edhe gjashtë muaj dëm, duke u endur rrugëve dhe në oborrin e selisë suaj, ndërkohë që vendin e kishit në Parlament. Tani të njëjtën gjë po bëni edhe me debatin për ngritjen e komisionit hetimor. Në një seancë maratonë i harxhuat pa kursim të gjithë fishekët, që kishit në dispozicion", u shpreh Patozi. Ai tha më tej se maxhoranca do të vijojë edhe pa opozitën në Kuvend. "Kemi detyrimin t'ju njoftojmë edhe një herë se, ky Kuvend do të vijojë agjendën e vet evropiane, ashtu si të gjitha institucionet e tjera të këtij vendi" deklaroi kreu i grupit parlamentar të PD-së.
Në seancë reagoi edhe zëvendëskryeministri njëherësh Ministër i jashtëm Ilir Meta, duke e cilësuar si hipokrite largimin e opozitës nga salla. Meta tha se opozita nuk është e interesuar të zgjidhë situatën politike. "Ata nuk duan zgjidhje të kësaj situate, ata nuk kanë ardhur në Parlament dhe nuk kanë bërë asnjë lëshim, por kanë ardhur në Parlament për të shpëtuar mandatet e 30 biznesmenëve që kanë në grupin e tyre parlamentar", deklaroi Meta. Kreu i LSI-së tha më tej se opozita duhet t'i drejtohet institucioneve përkatëse për hapjen e kutive të votimit. "Përmendën Ruzhdien? Ruzhdia është autogol i tyre, sepse pavarësisht se PD e kërkoi këtë gjë në KQZ, e kërkoi në gjykatë, Ruzhdija u rrëzua sepse kishte parregullsitë që kishte, dhe ata që kanë bërë parregullsitë, le të mbajnë përgjegjësitë e tyre. Ka raste të tjera? Le t'i çojnë në Prokurori, sepse kështu funksionon shteti i së drejtës" tha në fund të fjalës së tij kreu i LSI-së, Ilir Meta.