E Diel, 1 Nëntor 2026

I sëmuri mendor tenton vrasjen e prindërve



TIRANE - Policia e Komisariatit nr.3 parandaloi një krim në familje dje, pasi u lajmërua se një 22-vjeçar me probleme mendore, po kërcënonte me thikë prindërit e tij. Ngjarja ndodhi mbrëmë në një apartament në rrugën "Fortuzi", pas Ministrisë së Drejtësisë në Tiranë. Burime nga policia thanë se 22-vjeçari Granit G., pasi është kthyer dje në mbrëmje në shtëpi me shqetësime të forta nervore ka folur foli përçart për disa minuta, mori një thikë në kuzhinë, të cilën ua drejtoi prindërve, duke i kërcënuar se do t'i vriste. Një nga fqinjët e familjes ku ndodhi ngjarja, i cili ka dëgjuar debatin dhe thirrjet për ndihmë në apartament, lajmëroi menjëherë në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Drejt vendit të ngjarjes u nisën menjëherë shërbimet e Komisariatit nr.3, që fatmirësisht ndërhynë në kohë, duke shmangur kështu një krim të mundshëm në familje. Burime nga policia thanë se forcat e rendit u detyruan të thyejnë derën e apartamentit, pasi me gjithë thirrjet për t'i lejuar të futeshin brenda, 22-vjeçari pengonte familjarët që të lëviznin, duke e mbajtur thikën vazhdimisht në drejtim të tyre. Në momentin që ka parë policinë brenda banesës, i dyshuari Granit G., ka hedhur armën në dysheme dhe iu drejtua prindërve, duke u kërkuar shpjegime se kush kishte lajmëruar policinë pasi ai nuk kishte ndërmend t'iu bënte asgjë të keqe. Policia tha se i riu është izoluar ndërsa familjarët thanë se ai vuante nga probleme të rënda mendore. Prindërit treguan për policinë një kartelë të lëshuar prej disa muajsh nga Spitali nr.5 për djalin e tyre, i cili fillimisht u shoqërua në ambientet e Komisariatit nr.3 e më pas u transportua në Spitalin Psikiatrik, ku do të mjekohet për disa muaj. e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›