E Diel, 1 Nëntor 2026

Fishekë drejt Italisë, pranga Kampionit të peshëngritjes



VLORE - Kampioni Evropian i Peshëngritjes, Daniel Godelli u arrestua pasditen e djeshme, ndërsa tentonte të kalonte drejt Italisë një sasi fishekësh. Peshëngritësi 18-vjeçar nga Peqini është bllokuar në pikën kufitare, menjëherë pas kontrollit të kryer në çantën e tij. Mësohet se brenda saj ndodhej një sasi prej 60 fishekësh, për posedimin e të cilave Godelli nuk ka dhënë asnjë shpjegim. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00, në kohën kur Godelli priste të ngjitej në tragetin e linjës Vlorë-Brindizi. Ai është arrestuar në kushtet e flagrancës për mbajtje pa leje të municioneve luftarake, duke u transportuar menjëherë drejt drejtorisë së policisë së Vlorës. Nga ana e drejtuesve të saj i është kërkuar policisë së Elbasanit të kryente kontroll banese, nisur nga kapja në flagrancë e peshëngritësit. Në shtëpinë e familjes Godelli në Peqin mësohet se është gjetur dhe sekuestruar një sasi prej rreth 141 fishekësh të kalibrave të ndryshëm, si automatiku, pushke, një granatë dore, dy ndezës dhe tre kapsolla detonatore. Policia e Elbasanit shoqëroi të atin e kampionit në fuqi të Evropës, Sulejman Godelli, për ta marrë në pyetje në lidhje me praninë e kësaj sasie të konsiderueshme municionesh në shtëpi. Pasi ka kryer veprimet e para, policia e Vlorës ka bashkëpunuar me prokurorinë e rrethit për vazhdimin e hetimeve. Prej
Prokurorisë pritet që të saktësohet edhe akuza ndaj Godellit, në lidhje me tentativën për të transportuar fishekët drejt Italisë.
Daniel Godelli nisi të stërvitet si peshëngritës nga trajnerë vendas në qytetin e Peqinit për të arritur majat më të larta në këtë sport. Pikërisht në korrik të vitit 2008, ai u shpall kampion i Evropës në stilin e shkëputjes për 17-vjeçarë në kampionatin e zhvilluar në Francë. Fama e tij u rrit një vit më pas, në Kampionatin Evropian që u zhvillua në Durrës. Në peshën 62 kilogramë, Godelli u shpall kampion i Evropës për të rinj. Ai mori dy medalje ari, në shkëputje dhe dygarësh, si edhe një argjendi në stilin e shtytjes. Ky ishte rezultati më i mirë i peshëngritjes shqiptare në këtë kampionat, ndërkohë që Godelli u konfirmua si një prej talenteve më të mëdha të shtangës në vitet e fundit. Një nga objektivat e tij kryesorë ka qenë të shpallet kampion bote, gjë që ende nuk e ka arritur. Pritet që ai të japë dëshminë mbi qëllimin e transportimit të fishekëve dhe destinacionin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›