Dick Marti pritet te deshmoje ne rastin Medicus

Rasti “Medicus” ka të bëjë me akuza të ngritura për shtatë persona, nën dyshimet për trafikim organesh dhe transplantim të paligjshëm. Gjyqtari kryesues Sedek nga Polonia ka bërë të ditur se Dik Marti pretendon se ka informacione të rëndësishme për këtë cështje, prandaj ai do të dëgjohet në këtë rast. Marti duhet të tregojë dhe burimet e informacioneve të tij. Në raportin e tij, Dick Marty kishte akuzuar pjesëtarët e ish UÇK-së, përfshirë edhe kryeministrin aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, për përfshirje në krim të organizuar dhe trafikim të organeve gjatë dhe pas luftës. Kosova dhe Shqipëria në mënyrë të fuqishme i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë hedhur poshtë raportin e Dick Martit.
Prokurori special i Bashkimit Evropian, Xhonatan Ratel, në seancën e 23 marsit, kërkoi që Dik Marti të thërritej në cilësinë e dëshmitarit. Ndaj propozimit të prokurorit Ratel, kishte reaguar mbrojtja, duke thënë se nëse Dick Marti dëshmonte lidhur me këtë rast penal, atëherë procesi do të humbiste esencën e penales dhe do të shndërrohej në politike. Kohë më parë, përfaqësues të misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se rasti “Medicus” dhe “krimet e luftës, të kryera në Shtëpinë e Verdhë” - çështje kjo që ka ngritur Marti në raportin e tij dhe që prek përfaqësues të Qeverisë së Kosovës - janë raste të ndara.