E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prifti i "pasaportave" , kërkon dëmshpërblim

26/02/2005  TIRANË – Arben Prifti, ish-drejtor në Drejtorinë e Prokurimeve pranë Kryeministrisë, kërkon dëmshpërblim për burgim të padrejtë. Në mesin e vitit 2002, së bashku me Veli Myftarin, Bujar Himçin dhe Edmond Alian, që u hetua dhe gjykua në mungesë, Arben Prifti u akuzua për shpërdorim detyre, me fondet publike. Arrestimi i Priftit dhe i krerëve të Ministrisë së Rendit Publik erdhi pas ankimit të firmave pjesëmarrëse në tenderin e pasaportës, të skualifikuara për arsye të ndryshme. Prifti në këtë kohë ishte drejtor i Prokurimeve, ndërsa Bujar Himçi, kryetar i komisionit të tenderimit dhe Veli Myftari, qe i ngarkuar nga eprorët të vendoste firmën poshtë dokumenteve të grupit fitues. Arben Prifti, në përfundim të procesit gjyqësor, doli i pafajshëm për akuzën e ngarkuar. Ndërsa Bujar Himçi dhe Veli Myftari u dënuan me kohën e paraburgimit. Një vit pas marrjes së pafajësisë, Arben Prifti, i liruar në sallën e gjyqit, i drejtohet gjykatës për të kërkuar dëmshpërblimin. Verifikimi i shkeljeve në tenderim u bë në datën 20 dhjetor 2001, pas ankesave të njëpasnjëshme të bëra nga firmat e skualifikuara. Ndërsa firma fituese për prodhimin e pasaportave të zakonshme, diplomatike dhe shërbimi, ishte gjermane, e quajtur "Bundesdruckerai". Arben Prifti u akuzua nga Prokuroria për faktin se, nuk kishte kryer verifikimet për tenderin në kohën e duhur dhe nuk kishte njoftuar në kohë për ankesat që vinin në zyrën e tij nga firmat e skualifikuara. Bashkë me dy të pandehurit e tjerë, Arben Prifti qëndroi mëse gjashtë muaj në burg. Tashmë atij i takon të marrë 50 mijë lekë për një ditë paraburgimi. Kërkesa është dërguar në zyrën e gjyqtares Elona Stavri. Nga ana e Prokurorisë u pretendua se, komisioni i tenderimit nuk ka kryer procedura të rregullta, madje, ka mbivlerësuar firmën gjermane, duke i marrë asaj dokumentet dhe shpallur fituese jashtë rregullave. Dëmi që u akuzuan krerët e rendit, se i shkaktuan shtetit nga veprimet dhe mosveprimet e tyre, kapte shifrën 285.092.62 dollarë amerikanë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›