E Hënë, 2 Nëntor 2026

Korrieri: Kosovari më premtoi 10 mijë euro

26/02/2005  Gjykata vendos 14 vite burg transportuesit të drogës Balliu

TIRANË - Edvin Balliu u dënua dje nga Gjakata e Krimeve të Rënda me 14 vite burg. Në përfundim, pas pranimit të kërkesës për gjykim të shkurtuar, i pandehuri do të vuaj 9 vite e 8 muaj në një nga burgjet e zakonshme. Celularët që i pandehuri ka përdorur gjatë kohës që është marrë me transportin e heroinës, do të kalojnë në favor shtetit. Ndërsa makina tip "Nissan" i kalon dy kushërinjve të tij, të cilët ia dhanë në përdorim me anë të një prokure. Edvin Balliu është penduar para gjykatës dhe ka treguar të gjithë historinë e futjes në rrjetin e trafikut të drogës. Ishte rezident në Itali që prej vitit 1999. Në prill të vitit të kaluar është takuar me një shtetas kosovar, i cili ka qenë pa dokumente. Balliu tha se i dinte vetëm emrin, Safet. Ky i fundit i ka kërkuar Balliut të transportonte për llogari të tij në Itali, nga Shqipëria, sasinë e heroinës në këmbim të 10 mijë eurove. I joshur nga sasia e lekëve, Balliu ka pranuar dhe menjëherë është nisur në Durrës. Para gjykatës, i pandehuri është shprehur se ka ardhur në Tiranë dhe te lokal "Hambo", tek rruga e Durrësit, ka takuar një shtetas tjetër kosovar, shokë të Safetit. Pasi i ka marrë makinën, kosovari ia ka kthyer në darkë, duke i thënë se gjithçka është në rregull. Më pas, Edvini, i sigurtë është nisur në datën 26 prill 2004 për në Itali. Në këtë datë ai kapet nga policia gjatë kontrollit rutinë me 11 kile e 126 gramë heroinë në serbatorin e makinës tip "Nissan", në pritje për të kaluar Portin e Durrësit, që do ta çonte drejt Italisë. Pasi u vërtetua se lënda që u kap ishte heroinë e pastër, Prokuroria i kërkoi gjykatës dënimin e të pandehurit me 16 vjet heqje lirie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›