E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dshmitari: Pashë Zanin me Gaxhain kur më morën djalin

26/02/2005  TIRANË – Ka ardhur për të dhënë dëshminë e tij për herë të dytë në gjykatë. Ndërsa ka përmendur emrat e dy kapove të grupit, Skënder Dule, babai i Bashkim Dules, vrarë më 20 mars 1997, është shprehur se djalin ia kanë vrarë pa asnjë shkak. "Djalin ma vrau Zani dhe Gaxhai. I pashë të dy kur erdhën dhe ma morën në shtëpi. Pasi e morën, Gaxhai ma vrau te fusha e druve". Kështu deklaroi dje, Skënder Dule, i cili e përcolli vetë djalin në duart e personave që e vranë. Gaxhain e kishte përballë dhe pa patur aspak frikë, dëshmitari i tha se e kishte njohur atë ditë kur i mori djalin. "Ti ishe, unë të njoha shumë mirë kur po zbrisje nga shkallët. Ishe më i dobët se tani". Këto fjalë, Skënder Dule i tha në sy Gazmend Brakës, ndërsa ky i fundit ka kundërshtuar. "Nuk janë të vërteta këto që thotë dëshmitari dhe ju nuk duhet të merrni në konsideratë dëshminë e tij", i tha Gaxhai gjykatës. Më pas, ai, ndonëse nuk përmendi emra, e siguroi dëshmitarin se e dinte emrin e vrasësit të Bashkim Dules. Prokuroria solli për të dëshmuar në gjykatë edhe babain e policit Viron Rrapaj, të vrarë në ambientet e komisariatit të Vlorës, në datën 10 maj '97. Lutfi Rrapaj, tha se djalin ia vrau Ilir Kuçi së bashku me Alfred Nebiun (Kakami). Këtë fakt, ai e ka mësuar ditën e varrimit të djalit nga polici Ilir Kokoçi. Të njëjtën gjë i ka thënë edhe Haxhi Demiri, komisar në këtë komisariat. Ndërsa dje, Demiri mohoi të këtë thënë një gjë të tillë, pasi u bë ballafaqimi në gjykatë. Lutfi Rrapajt pas këtij ballafaqimi i mbeti vetëm të thoshte: "e provova burrërinë tënde, nuk ka nevojë të thuash gjë tjetër".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›