Didië Deshamp konfirmon: Lorik Cana mbetet kapiteni
Emërimi i tij tek Olimpik Marseja u shoqërua me zërat se skuadra do t‘i nënshtrohej rikonstruksionit. Si "viktimë" e ndryshimeve drastike të trajnerit Didië Deshamp shihej edhe Lorik Cana, për të cilin mediat franceze spekulonin se nuk e kishte vendin të sigurt në skuadër. Gjithsesi, gjatë një interviste për "La Provence", ish-fituesi i Kupës së Botës dhe Kampionatit Evropian sqaroi situatën rreth mesfushorit shqiptar. Ndryshe nga sa shkruhej nëpër gazeta, Deshamp do të vazhdojë t‘ia besojë 25-vjeçarit rolin e kapitenit edhe gjatë sezonit të ardhshëm (nëse "shkatërruesi" vendos të mos largohet). Sapo përfundoi ndeshjen me Portugalinë, Cana u kthye në Marsejë për të diskutuar me trajnerin. "Zhvilluam një bisedë shumë të vlefshme. Megjithatë, unë do ta respektoj fshehtësinë e asaj bisede", deklaroi ish-trajneri i Juventusit. "A e llogaris Canën? Për t‘iu përgjigjur pyetjes suaj, mund t‘ju them se do të vazhdoj të mbështetem te ai. Cana mbetet kapiteni. Këtu nuk po flasim për një futbollist çfarëdo. Ai i ka dhënë shumë Olimpik Marsejës". Edhe pse Deshamp deklaron se mesfushori kuqezi është në planet e tij, duhet pritur mbyllja e merkatos për të mësuar të ardhmen e Canës. Për shqiptarin interesohen Arsenal, Liverpul, Totenhem, Hamburg e Verder Bremen.