Hektor Kuper: Shqipëria, një test për t‘u fituar
Miqësorja Shqipëri-Gjeorgji nuk pritet të ketë interes, e megjithatë ajo është shumë e rëndësishme për Kombëtaren kuqezi dhe për trajnerin e saj, Josip Kuzhe. Në orët e mesditës së djeshme ka zbarkuar në kryeqytet përfaqësuesja e shtetit, që dikur ishte pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik. Në krye të saj qëndron një emër i madh, pikërisht argjentinasi Hektor Kuper, i cili në të kaluarën e tij ka drejtuar ekipe në elitën e futbollit evropian, si Valencia, Inter etj. Me të vënë këmbët në Tiranë, tekniku amerikano-latin i gjeorgjianëve ka lëshuar sfidën ndaj skuadrës së Kuzhesë, edhe pse e pranon se kjo ndeshje më shumë do të ketë karakter testimi për disa prej lojtarëve të ekipit të tij. "Ne vijmë me disa mungesa në këtë ndeshje, u shpreh dje Kuper. Kam në skuadër disa futbollistë të rinj, të cilët do të testohen nesër (sot)". Por megjithatë trajneri argjentinas e ka vënë Kombëtaren e tij përballë një objektivi: "Edhe pse na mungojnë shumë lojtarë, ne do të kërkojmë fitoren kundër Shqipërisë", përfundoi Kuper. Sot në orën 19:00, në "Qemal Stafa" Shqipëria do të duhet të ndeshet me një kundërshtar shumë të njohur për vendin tonë, ndaj të cilit do të luajë sfidën e 11 historike midis dy kombëtareve, ku përfshihen ato zyrtare, miqësore dhe turne ndërkombëtarë, por që fatkeqësisht kemi bilanc negativ, 3 fitore tonat kundrejt 6 të gjeorgjianëve dhe një barazim.