E Shtunë, 31 Tetor 2026

Palermo, Saimir Ujkani drejt huazimit në ligat inferiore

Saimir Ujkani do të largohet nga Palermo. Klubi sicilian po mendon ta transferojë portierin kuqezi në formë huazimi në ligat inferiore, në mënyrë që ai të ketë mundësi të luajë rregullisht. Presidenti Mauricio Zamparini konfirmoi se Marko Amelia nuk do të largohet dhe kjo bën që "gardiani" shqiptar të mos ketë hapësira te skuadra e drejtuar nga Valter Zenga. "Amelia nuk largohet. Nuk ia shesim Napolit, sepse ata janë konkurrentët tanë direkt dhe kanë të njëjtin objektiv si ne", deklaroi drejtuesi më i lartë i Palermos. Në këtë mënyrë, Ujkani do të ketë fatin e dy talenteve të tjerë shqiptarë, Edgar Çani dhe Brajan Filipi, që për shkak të mosaktivizimit me ishullorët, tashmë luajnë në kategoritë më të ulëta. Një prej skuadrave të interesuara për 20-vjeçarin është Novara, e cila militon në Ligën Pro (kategoria e tretë italiane, që deri në vitin 2008 njihej si Seria C1). Presidenti De Savio synon që të ndërtojë një ekip për t‘u ngjitur në Serinë B, kategori ku klubi nuk luan që prej 32 vjetësh (në 1977 ata janë larguar për mos t‘u kthyer më). Drejtor sportiv i Novarës është Sensibile, i cili ka punuar te Palermo dhe ka prenotuar Ujkanin së bashku me Misurakan dhe Kosetinon. Edhe portieri do ta mirëpriste transferimin, pasi kërkon të luajë rregullisht, për të fituar eksperiencë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›