E Diel, 1 Nëntor 2026

"Gjaku që fali gjakun"

Personazhin e saj e hasi në një nga rrugëtimet e shpeshta në kërkim të historive të pazakonta. Histori femrash që fati, për një arsye apo një tjetër, i ka hedhur në rrugën e dhimbjeve dhe sakrificave. Zana Zyrakja i ndan ato me dëgjuesit përmes mikrofonit të Radio Tiranës. Por ndodh që emocionet të mbarten edhe përtej një emisioni radiofonik. Kështu, personazhi i saj, një femër "viktimë" e gjakmarrjes e frymëzoi për një skenar. Mbi të u realizua filmi artistik me metrazh të shkurtër "Gjaku që fali gjakun". U shfaq vetëm para pak kohësh, në një ditë simbolike siç është 1 Qershori. Një zgjedhje jo e rastësishme që në festën e fëmijëve përçonte një mesazh të dyfishtë: t‘i mbrojmë nga drama e madhe shqiptare e gjakmarrjes dhe të ushqejmë më tej kultin e mëmësisë. "I jam mirënjohëse mikrofonit të Radio Tiranës që më ka dhënë fabula jetësore me të cilat jo vetëm kam pasuruar programet, por më ka ndihmuar në të qenit gazetare krijuese. Ngjarjet e filmit rrokin temën e gjakmarrjes, një temë jo pak e trajtuar nga gazetarët e krijuesit, por e parë në një këndvështrim ndryshe në filmin "Gjaku që fali gjakun". Rreth 3-4 vjet më parë, kur realizoja në një cikël radiofonik "Jeto jetën time" me histori grash që bëjnë jetë ndryshe nga të tjerat, kam shtegtuar Veriut të Shqipërisë duke parë familje të ngujuara. Kjo grua që e kam sjellë artistikisht në film, për ditë të tëra pasi e kisha takuar qëndronte në mendimet e mia, në bisedat që bëja me kolegët. Ishte një grua e brishtë te të 40-at, kishte dy djem në adoleshencë që kishin 6 vjet të ngujuar. Burri i saj kishte kryer një krim të rëndë dhe ishte dënuar përjetësisht. Për të mbrojtur fëmijët e saj, kërkoi divorc në sallën e gjyqit, por pavarësisht kësaj, gjakësi kishte njoftuar se do të merrte hak te fëmijët. Ajo, që në trup mbartte gjurmët e dhunës së burrit të saj, mbetet e vetme në mes të katër rrugëve. Janë prindërit pleq që i hapin derën e shtëpisë së tyre të varfër e të vogël ku vendoset me dy djemtë. Ditët e saj rrëshqasin në rrokullimën e dhimbjes dhe domosdoshmërisë për të punuar e për të mbajtur familjen. Çdo ditë zbret nga Malësia e Shkodrës për në rrethinat e qytetit për të punuar në një kafene. Arrin të sigurojë shumë pak të ardhura, aq sa për pak bukë", vazhdon Zana të tregojë ngjarjen që e ka frymëzuar. Por ndonëse tashmë është pak larg vazhdimit të historisë reale, nuk e ka takuar më atë grua, ka dashur që filmit t‘i japë një zgjidhje shpresëdhënëse. Gruaja përballet me gjakësin e saj në sallën e spitalit, ku atë e ka çuar instinkti i nënës për t‘i dhënë gjak një fëmije që aksidentohet para lokalit ku ajo punonte. Vetëm aty, teksa infermierja përpiqet të marrë gjak në damarët e saj, kupton se ai fëmijë ishte i familjes me të cilën ishin në gjak. Pasi sigurohet se ai ka shpëtuar, e trembur nga vështrimi i burrit, kërkon të nxitojë për te fëmijët e saj. Por gjaku i saj kishte bërë mrekullinë. I ulur në korridor, hasmi ngrihet në këmbë dhe i vë dorën në shpatull. Ai foli me heshtjen e tij, për një falje që as ligji me betejën e tij të humbur përballë kësaj plage nuk kishte mundur ta arrinte. Ky është skenari i radhës i Zyrakes, e cila më parë ka bashkëpunuar në afro 20 dokumentarë, të realizuar kryesisht me regjisorin e mirënjohur, Ylli Pepo, i cili i ka vënë vulën e tij artistike edhe filmit të fundit "Gjaku që fali gjakun". "Edhe unë jam grua", "Ndihmomë të kem të ardhme", "Të mërguar, por të ndjerë të barabartë", "Duar të mangëta drejt mirësisë", "Shpresoni si ne", janë disa nga filmat dokumentarë realizuar më parë me skenar të saj. "Jam e prirur drejt temave sociale që i gjej në jetën e përditshme shqiptare", shprehet Zyrake. Aktorja Yllka Mujo i ka huazuar një trup kësaj gruaje për të përçuar historinë e saj. Ndërsa kuadri i personazheve të tjerë është plotësuar nga Zef Nikolla, Enver Hyseni, Taulant Begaj, Kristi Kacadej. Filmi, i xhiruar në Malësinë e Shkodrës është realizuar në shumë pak kohë, nga një staf që Zana thekson se më shumë ka punuar për pasion. "Do të falënderoja regjisorin Ylli Pepo, i cili përvojën e ka kthyer në nerv krijues. Ai është gjithmonë i gatshëm që ta realizojë një projekt kur ndien që fabula ka emocion. Ndërsa pa Yllka Mujon, kjo histori nuk do të kishte ngarkesën e duhur emocionale. Ajo ka realizuar mjeshtërisht figurën e nënës, në skena që i luante krejt natyrshëm", thekson gazetarja. Astrit Omeri si drejtor fotografie, mjeshtri i zërit, Kristaq Kristo, piktori Adnan Kastrati, montazhieri Andon Beqari, grimieri Edmond Lako, janë pjesa tjetër e stafit që kanë realizuar filmin. "Ky film është gati-gati një dokumentar në kuptimin e stilit të xhirimit dhe inskenimit të së tërës. Na nxiti një tregim i bukur i Suzana Zyrakes, e cila me shumë pasion dhe interes ndjek fenomenet e përditshme reale në jetën e sotme shqiptare. Ajo mbledh dhe gjen ngjarje që çdo kineast do t‘i kishte zili t‘i kthente në film dhe unë kam fat që bashkëpunova, sepse ngjarja nuk të linte të ishe indiferent", shprehet regjisori Ylli Pepo, ndërsa tregon për përfshirjen e njerëzve të atyre viseve ku gjakmarrja është një fenomen i prekshëm, në sheshin e xhirimit. "Ata përjetuan bashkë me ne skena të tëra. Jo vetëm na ndihmuan, por në raste të veçanta na bënin "korrigjimet" e duhura në rast se ishte e tepruar apo e thjeshtëzuar loja e aktorit. S‘ishte çudi që pas kamerës të kishte vërtet njerëz që ishin në gjak", tregon ai. Si Pepo, ashtu edhe Zyrake janë të ndërgjegjshëm se ky realizim shkon përtej rrëfimit të një historie. Filmi mbart në vetvete edhe një mesazh sensibilizimi. "Filmi është një trajtim ndryshe. Duke i dhënë ngjyra artistike kësaj historie, kemi dashur që sadopak ky produksion të ndikojë në sensibilizimin për të shkuar drejt faljes natyrore të gjakut. Në këtë rast dua të bëj një apel edhe për kolegët e mi gazetarë që të rreken të gjejnë e t‘u mëshojnë rasteve të faljeve", thotë Zyrake, e cila përveçse si skenariste, e ka përjetuar këtë film me ndjesitë e një gruaje dhe të një nëne. Ndërsa për regjisorin Pepo, mesazhi është i qartë: shqiptarët janë të dhimbshëm, nuk janë të dhunshëm, por kushtet dhe rrethanat jashtë tyre i kanë bërë të ruajnë ende këtë fenomen shumë të dhimbshëm, por që duket drejt zhdukjes. "Gjithnjë na vinte në mend ç‘ka bëri Anton Çeta në Kosovë me pajtimin brenda pak vitesh të mijëra gjaqeve. Një Anton Çetë për Shqipërinë do ishte shumë i vlefshëm, por edhe këto realizime artistike janë përpjekje që shkojnë bashkërisht me atë që do kjo masë e popullsisë që e vuan ende këtë fenomen", përfundon regjisori. Ndërkohë që kjo histori vazhdon ende të ngacmojë emocionet e gazetares, në kërkim të një tjetër personazhi për ta prezantuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›