E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kompletimi i Kombëtares, na duhen edhe 4-5 lojtarë të mirë"

Vetëm 2-3 minuta e ndanin Josip Kuzhenë nga një barazim përballë disa prej yjeve të mëdha të futbollit evropian e botëror (Portugalinë) në debutimin e tij në pankinën e Shqipërisë. Por një gol në minutat shtesë e prishi disi atmosferën. Tashmë, kur gjithçka ka kaluar, ai gjykon me më shumë qetësi dhe mund të evidentojë edhe te anët e mira dhe të këqija të skuadrës që drejtoi kundër Portugalisë. Sipas tij, mungesa e përqendrimit dhe pësimi i golave në minutat e fundit ("vese" tradicionale shqiptare), janë gjërat që nuk e kanë kënaqur shumë, por në përgjithësi mendon se u luajt një ndeshje e mirë. "Më duhet të them se prisja një lojë edhe më të mirë, edhe pse përballë kishim një Portugali të frikshme e super të motivuar, u shpreh Kuzhe në një intervistë të dhënë për kosovaren "Express". Skuadra jonë ka bërë një lojë të mirë, por kishte edhe disa gjëra që nuk më kënaqnin. Disa futbollistë kanë luajtur shumë mirë, por nuk jam i kënaqur me lojën e mesfushës. Mesfushorët duhet të kishin reaguar më mirë". Megjithatë ai kërkon akoma më shumë kohë, pasi thekson se kjo ende nuk mund të quhet si kombëtarja e tij. Ky ishte një fillim për mua, edhe pse nuk kam bërë shumë gjëra, për shembull unë nuk e kam bërë përzgjedhjen e futbollistëve. Unë kam ardhur dhe ata më kanë thënë: Këta janë ata 20 e ca futbollistët. Pra, kjo nuk është përzgjedhja ime". Vlerëson se pas këtyre dy ndeshjeve të para, të cilat janë një lloj njohje me ekipin, do të ketë mundësinë të bëjë përzgjedhjen e një kombëtareje të vërtetë. Kuzhe beson se pas këtyre dy ndeshjeve do të mund të ketë krijuar një ide të qartë dhe në të ardhmen "do të kemi mundësinë të bëjmë përzgjedhjen dhe të punojmë në ndërtimin e një kombëtareje të vërtetë". Gjithsesi përshtypjet e tij janë të mirë për grupin e futbollistëve shqiptarë. "Ata dinë të luajnë futboll, e luajnë lehtë futbollin dhe janë teknikisht të mirë", shton ai, por më pas thekson se ndonjëherë dalin në pah edhe disa dobësi, si humbjen e përqendrimit (i referohet daljes së gabuar të Hidit në momentin e golit të dytë, por edhe paraqitjes së disa futbollistëve të tjerë). Përsërit se shqiptarët dinë të luajnë futboll, "por u duhet më tepër disiplinë, organizim dhe përqendrim, në mënyrë që të përmirësohemi edhe më tepër". Kuzhe premton se rinovimi i Kombëtares do të vazhdojë: "Vlerësoj se Shqipëria ka 15-16 futbollistë që janë të mirë, por duhen gjetur edhe 4-5 futbollistë të tjerë", përfundoi trajneri i Shqipërisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›