Diferenca kulturore
Natyrisht që gjithçka mund të regjistrohet nën termin “diferencë kulturore”. Për shembull që pas drekës apo darkës afariste spanjolle pason një vizitë e përbashkët në bordel, që shtëpitë publike në zonat rurale në Spanjë janë aq shumë (dhe gati aq shpesh) të ndriçuara në natën e vetmuar si pompat e benzinës në vendet e tjera, dhe që edhe vetë gazetat serioze çdo ditë publikojnë nga dy faqe me shpalljet për lidhje të kontakteve, pjesërisht me figura që nxisin imagjinatën dhe me renditjen e detajuar të ofertave seksuale. Ekziston një “kulturë e prostitucionit” në Spanjë, kështu thotë historiani Jean Louis Guereña, i cili këtij fenomeni ia ka kushtuar një studim. Ai thotë me tej se ekziston edhe një banalizim dhe tolerancë e gjerë e seksit me të holla. Sipas anketave më të reja, vizita në bordele dhe në sallone masazhi është etabluar si pjesë e kulturës spanjolle të argëtimit. Klienti i sotëm nuk është më i vjetër dhe i frustruar, por i ri, i papërcaktuar në hedonizëm dhe politikë. Shpalljet për lidhjen e kontakteve në shtypin kualitativ (së paku gazeta relativisht e re “Público” vullnetarisht heq dorë nga ky burim i të hollave) janë vetëm njëra prej formave të shumta të shprehjes për këtë.
Pikërisht rreth shpalljeve për lidhjen e kontakteve në shtyp ka shpërthyer tani një grindje. A i përshtatet Spanjës moderne, është pyetja, që të tolerohen oferta të botuara për seks në mediet e printuara? A nuk i kundërshtojnë gjuha joshëse dhe oferta eksplicite parimet e barazisë dhe dinjitetit njerëzor? Gjithmonë duke supozuar se prapa shumicës së këtij reklamimi të printuar fshihen zinxhirë të trafikantëve me njerëz dhe banda mafioze, të cilët i detyrojnë femrat që të merren me prostitucion? Këshilli Shtetëror ka përpiluar tani një raport rreth karakterit të shpalljeve për lidhjen e kontakteve dhe i rekomandon qeverisë së Zapateros, që ato të ndalohen krejtësisht. Sipas tij, në ato shpallje femrat instrumentalizohen dhe paraqiten vetëm si objekte të epshit. Ministria për Shëndetësi, Politikë Sociale dhe Barazi nxit për të shkuar në të njëjtin drejtim dhe kërkon që të shkruhet një “kalendar” për këtë ndalesë. Me këtë rast ajo shpreson që të përfitojë konsensusin sa më të madh politik dhe bashkëpunimin me mediet e shkruara. Disa shoqata të grave i janë bashkëngjitur kësaj iniciative.
Kundërshtimi i pritur vjen nga bashkimi spanjoll i botuesve të gazetave AEDE, i cili ndalesën e shikon si një qëndrim jokonsekuent nga ana e shtetit dhe si një sulm ndaj lirisë së shtypit: “Nëse shteti prostitucionin e sheh si një aktivitet kundërligjor apo që dëmton shëndetin, atëherë prej tij duhet të kërkohet që atë ta ndalojë.” Pasi që prostitucioni megjithatë nuk qenka i ndaluar, ajo pyet, se me çfarë të drejte do të duhej të ndalohet reklamimi për të? Nga ana e shtetit u tha, se gazetat ditore nuk i janë përmbajtur vetëkontrollit vullnetar në lidhje me paraqitjen diskrete të ofertave të seksit. Vetëkuptohet që me këtë rast nuk është fjala për pamje dhe tekste “të pahijshme” apo “jomorale”, por për përmbajtje që shkelin mbrojtjen e të rinjve apo dinjitetin e femrave. Gati kurrfarë roli në këtë debat nuk luan interneti, ku tashmë shumë kohë një pjesë e madhe e biznesit me shpallje të seksit janë zhvendosur. A shërben përjashtimi i të kapshmes fizike pra vetëm për qetësim duke marrë parasysh kërcënimin nga e pakapshmja?
Që mendohet te mesazhi, por goditet lajmëtari i vetëm i disponueshëm, kjo u është e qartë edhe përkrahëseve të një ndalese të shpalljeve. “Ndoshta do të ishte e arsyeshme, të fillohet menjëherë me ndalesën e prostitucionit”, thotë juristja Ángela Cerrillo, “pro kjo nuk do të ishte e lehtë.” T’i kufizosh shpalljet për lidhje të kontakteve, mendon Charo Carracedo, kryetare e “Platformës për zhdukjen e prostitucionit”, do të ishte vetëm “një hap i parë në një proces pedagogjik”. Por edhe këtu po shfaqet kundërshtimi. Zëdhënësja e një shoqate të prostitutave bëri me dije, se një shumicë e madhe e shpalljeve nuk jepet nga bandat mafioze. Me zhdukjen e shpalljeve nuk mbrohen pra femrat e eksploatuara, por kjo dëmton edhe punëtoret e rregullta. Punëtoret e rregullta në një punë të parregulluar, do të duhej të shtohet. Sepse statusi ligjor i kësaj veprimtarie është i mjegullt. Sipas një hulumtimi të gazetës “El Pais” në Spanjë në prostitucion punojnë treqind mijë femra, para së gjithash imigrantët. Kjo është më shumë se një për qind e popullsisë së tërësishme femërore. Duke marrë parasysh statusin social dhe ekonomik të fenomenit mund të befasojë se shteti këtë temë e ka larguar deri më tani kryesisht përmes përtacisë dhe mbylljes së syve.
Në të vërtetë prostitucioni nuk është as i lejuar e as i ndaluar, por alegal: sipas ligjit ai nuk ekziston dhe femrat që merren me të nuk ushtrojnë zyrtarisht asnjë profesion, për të cilin do të mund të paguanin sigurim social. Është e diskutueshme, se a mund të rregullohet problemi me ndalesën e shpalljeve për lidhjen e kontakteve në shtyp.
Marrë nga “F.A.Z”