Fokus/Ja dilema që frenon rrëzimin e shpejtë të Gedafit
Europianët dhe amerikanët do të donin që t’i ndihmonin rebelët në Libi, por mësimet e nxjerra nga Iraku dhe nga Afganistani nuk janë në favor të ndërhyrjeve ushtarake. Deri më tani e vetmja gjë për të cilën BE-ja ka qenë e gatshme që të pranojë, kanë qenë sanksionet financiare. Ndërsa në disa vende të tjera, si në Gjermani, liderët kanë frikë se mos e gjejnë veten të përfshirë në një luftë civile. Ka raste kur disa diplomatë dhe politikanë në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dëshironin që dikush të vdiste. Ata do të dëshironin që ndonjë kryetar shteti, apo qeverie të jepte urdhër për të lançuar në ajër avionë me bomba dhe për të lëshuar poshtë disa syresh. Sigurisht që ata nuk flasin hapur në lidhje me këtë, por i nënkuptojnë dëshirat. “Përse xhanëm nuk del ndonjëri që ta qëllojë?” – pyesin veten. Zakonisht kjo shpresë drejtohet nga Europa në drejtim të Amerikës. Aktualisht kemi të bëjmë pikërisht me një rast të tillë. Një numër politikanësh dhe diplomatësh janë duke shpresuar qetësisht që një mëngjes të dëgjojnë në radio se diktatori libian, Gedafi, ka vdekur gjatë natës. Sipas një skenari të tillë, më pas buletini i lajmeve do t’i informonte dëgjuesit se një skuadër bombarduesish amerikanë ishte kthyer me sukses në aeroplanmbajtësen e tyre në Mesdhe. Situata aktuale të sjell ndër mend ish-presidentin amerikan, Regan. Ai u përpoq që të eliminonte Gedafin në prillin e vitit 1986. Në atë kohë regjimi i Reganit urdhëroi 36 bomba të komanduara nga lazeri që do të hidheshin në Bab al-Azizija, një kazermë ushtarake që ishte edhe qendra e komandës së liderit libian në periferi të Tripolit. Gedafi i mbijetoi këtij plani. Regani u përqesh për këtë mision të dështuar dhe u kritikua madje për këtë ndërmarrje. Disa vende perëndimore i kanë konsideruar veprime të tilla si vrasje dhe si pasojë të papranueshme. Kur bëhet fjalë për luftë, Perëndimi gjithmonë parapëlqen që t’i anashkalojë çështjet e etikës. Tani të gjithë e kanë përqendruar vëmendjen te Presidenti i Amerikës, Obama. Çfarë do të bëjë ai në këtë situatë? Ai ka arsenalin e duhur për të përsëritur veprimin e Reganit, por në dukje ka edhe më shumë skrupuj. E njëjta gjë vlen edhe për europianët. Në takimin e tyre në Bruksel të premten, vendet e Bashkimit Europian i bënë thirrje Gedafit që të dorëhiqej menjëherë. Edhe pse një ndërhyrje ushtarake nuk është përjashtuar nga agjenda, ajo duhet më parë që të aprovohet nga Kombet e Bashkuara, Liga Arabe dhe Unioni Afrikan. Për momentin duket se Bashkimi Europian është duke u përqendruar vetëm te sanksionet ekonomike. Kjo është një situatë plot ankth për Perëndimin. Për vite Europa dhe Amerika e kanë konsideruar Gedafin si një partner të vlefshëm ekonomik pa e vrarë shumë mendjen se ai ndërkohë i bënte njerëzit e tij që të vuanin. Tani, një pjesë e madhe e kësaj popullate të shtypur është duke luftuar për lirinë e saj, por Perëndimi është duke bërë shumë pak përpjekje për të ndaluar avancimin e mbështetësve të Gedafit. Perëndimi do të ndihmojë, por ndërkohë është i padobishëm deri më tani. Në këtë situatë, vendet e Perëndimit janë në pozicion të keq nëse veprojnë dhe në pozicion të keq edhe në rast se nuk veprojnë. Në rast se ata do të uleshin dhe do të shikonin në njëfarë mënyre, do të pranonin faktin që Gadafi edhe mund ta shtypë rebelimin dhe pas kësaj të fillonte një fushatë hakmarrjeje të tmerrshme ndaj popullit të tij. Nëse do të vendosnin për të ndërhyrë, atëherë do të duhej të përgatiteshin për të vrarë dhe madje edhe njerëz të pafajshëm. Dhe nëse do të hynin në këtë konflikt, ata do të duhet që të kishin të paktën një strategji daljeje shumë të qartë.
Ndërsa politikanët europianë dhe amerikanë po shqyrtojnë çështjen e Libisë, ata ndërkohë nuk mund të shmangin edhe ndikimin shkatërrimtar të luftërave në Afganistan dhe në Irak. Dy vende me shumicë myslimane janë sulmuar dhe pushtuar edhe ato me qëllimin e krijimit të një bote më të mirë, sipas modeleve perëndimore. Por këto nuk kanë qenë histori suksesi. Regjimet e mbështetura nga Perëndimi kanë qenë regjime të dyshimta, për të thënë më të paktën, dhe situata e sigurisë është shumë e brishtë. Pas mbi 9 muajsh luftimesh lufta vazhdon ende në Afganistan.
Përvojat negative të Irakut dhe të Afganistanit i kanë bërë shumë dyshues amerikanët dhe europianët në lidhje me moralin e misioneve. Gedafi vetë përfiton nga kjo situatë, por kjo nuk do të thotë se ata e kanë gabim me këtë hezitim. Nuk mund të ketë një zgjidhje të lehtë alla Regan për Libinë, sepse misionet bombarduese nuk i zgjidhin gjithmonë situatat.
Ndërhyrja ushtarake është diskutuar gjithashtu. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, tha në një takim të NATO-s të ministrave të Mbrojtjes në Bruksel të enjten e kaluar: “Ne jemi të një mendjeje që do të vazhdojmë me planifikimin e të gjitha opsioneve ushtarake”.
Por administrata e Obamës e ka përjashtuar një veprim ushtarak unilateral në Libi. Shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Bill Daley, ka deklaruar së fundi: “Të gjitha opsionet janë në tryezë, por duhet që të jetë një mision ndërkombëtar”.
Por Obama vazhdon që të hezitojë dhe kjo mungesë veprimi është duke shkaktuar kritika të mëdha. James Clapper, drejtori amerikan i Inteligjencës Kombëtare, së fundi paralajmëroi një komitet të senatit se opozita nuk do të jetë në gjendje që të përmbysë një diktator. Senatori republikan dhe ish-kandidati presidencial, McCain dhe senatori i pavarur Lieberman, janë duke e kritikuar Obamën për këtë taktikë të tërhequr dhe jo aktive. Ata thonë se ai duhet që të bëjë më shumë për të mbështetur opozitën. McCain nga ana e tij është duke bërë thirrje për një “no fly zone”. Por edhe ky hap është shumë kontradiktor në Uashington. Ushtria amerikane, e cila tashmë është vendosur në Afganistan dhe në Irak, nuk është shprehur shumë. Për Bashkimin Europian është edhe më e vështirë që të dalë me një zë të vetëm në lidhje me çështjen e ndërhyrjes në Libi, edhe pse një gjë e tillë nuk e ndaloi Presidentin francez, Sarkozi, që të ndërmerrte një veprim personal. Të enjten e kaluar ai organizoi në Francë Këshillin Nacional Libian të Tranzicionit në Bengazi si përfaqësuesin legjitim të libianëve. Sarkozi madje thotë se ka ndërmend që të çojë një ambasador në këtë qytet. Për më tepër zyrtarë të qeverisë në Paris thonë se Sarkozi do që të përdorë sulme ajrore për të dobësuar regjimin e Gedafit. Qeveria gjermane nuk mori njoftim për veprimet e Sarkozisë dhe madje ministri gjerman i Jashtëm ishte me ministrin francez kur dëgjoi për këto veprime dhe, sipas tij, dukej se dhe vetë ministri francez nuk e kishte idenë deri në atë moment për pozicionin e qeverisë së tij. Në Berlin, Kancelarja u indinjua nga një veprim i tillë i francezëve. Në takimin e Brukselit Merkel e kundërshtoi hapur njohjen e Këshillit të Tranzicionit. Merkel ka shprehur gjithashtu qartazi rezervat e saj edhe për “no fly zone”. Kjo ishte një goditje për Sarkozinë dhe për hir të së vërtetës edhe liderë të tjerë europianë kanë dyshime për arsyen e vërtetë të veprimeve të Presidentit francez.Përvoja e Perëndimit me “no fly zone” ka treguar se masa të tilla mund të çojnë shumë shpejt në situatë lufte. Për shembull, pa një mandat paraprak të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga vitet ‘91 deri në vitin 2003 amerikanët kanë vendosur ndalime të tilla ndaj zonave kurde në veri të Irakut dhe në rajonet shiite në jug të vendit. Ka pasur si pasojë shumë shpërthime dhe përplasje. Avionët amerikanë kanë bombarduar pozicionet vendase. Zona të tilla kanë pasur një sukses shumë të kufizuar dhe ato jo gjithmonë kanë funksionuar si në rastin e përplasjeve ushtarake në zonat e vendosura nga NATO në luftën e Bosnjës. Avionët e NATO-s qëlluan një numër avionësh luftarakë serbë, e megjithatë kjo nuk e ndaloi parandalimin nga ana e NATO-s të masakrës së Srebrenicës, ku u vranë 8000 vetë. Gjithsesi pyetja që bëhet është shumë e qartë: A është zgjidhja një ndërhyrje ushtarake? Iraku dhe Afganistani thonë jo.