Harasani: Të gjithë me drita për Vit të Ri
25/12/2004 Kreu i KESH–it, Andis Harasani ka kundërshtuar deklaratat e dy ditëve më parë të drejtorit të Divizionit të Shpërndarjes, sipas të cilit debitorët që nuk paguajnë energjinë deri në datën 30, do t’u priten dritat natën e Vitit të Ri. Kreu i KESH–it duket se ka vendosur të anulojë vendimin dhe ka deklaruar se natën e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri të gjithë shqiptarët do të kenë drita. “Sot do të garantoj të gjithë qytetarët shqiptarë se janë marrë të gjitha masat që gjatë festave të Krishtlindjeve, Vitit të Ri dhe ditët pas Vitit të Ri, të ketë një furnizim të pandërprerë me energji elektrike”, ka deklaruar Harasani. Por, kjo nuk do të thotë që pas periudhës së pushimeve, debitorët të vazhdojnë të qëndrojnë indiferent. ”Dua të garantoj edhe të gjithë debitorët e Korporatës, që, për sa kohë nuk do ta paguajnë energjinë, do të vazhdojnë kufizimet”, ka bërë të ditur Harasani. Sipas drejtorit të KESH-it, për të gjithë debitorët, penaliteti do të jetë njëlloj dhe nuk do të bëjnë përjashtim debitorët shtetërorë. “Për mua janë debitorë të gjithë, si institucionet shtetërore apo joshtetërore, mund të bëjmë lëshime nga ‚xhepi’ ynë, por jo me pronën e shtetit“, ka thënë Harasani. Kreu i KESH–it ka bërë të qartë se energjinë do ta paguajnë të gjithë dhe në këtë pikë nuk mund të bëhen lëshime. „Energjia elektrike është një mall, të cilin, unë nuk e marr me vete, madje, as kur të largohem prej këtej, ndaj përsa kohë ajo nuk do të paguhet, do të mungojë, ashtu siç mungon çdo gjë tjetër, që nuk paguhet“, ka deklaruar Harasani. Kjo teori justifikon dhe faktin e mungesës së dritave në Kamëz dhe në Mamurras, për të cilët Harasani është shprehur shkurt. “Në Kodër-Kamëz, ashtu si dhe në Mamurras vazhdohet të paguhet rreth 5% e energjisë dhe përsa kohë nuk ka përmirësime të nivelit të arkëtimit, ne do të vazhdojmë me ndërprerjet”, ka deklaruar Harasani. Ndërkaq, Harasani ka bërë një ekspoze të shpejtë të situatës energjetike në 2004-ën dhe analizën e punës së KESH–it. “Viti 2004 ka qenë viti më i suksesshëm i Korporatës, përsa i përket sasisë së energjisë të hedhur në rrjet, nivelin dhe cilësinë e investimeve si dhe marrëveshjet e reja që kemi bërë”, ka deklaruar Harasani. E reja e fundit nga KESH-i është një ftesë, që është bërë nga Sekretari Amerikan i Energjisë për një konferencë e nivelit të lartë, e cila do të zhvillohet në shkurt të vitit 2005, në Hjuston. “Në këtë konferencë është ftuar vetëm Shqipëria nga vendet e Ballkanit”, ka thënë Harasani.