Gruaja e Dajtit dhe avokati takojnë Xhoxhin
TIRANE - I arrestuari Erges Xhoxhi, kunati i Dritan Dajtit, është vizituar dje në burg nga avokati Arben Qeleshi. Mbrojtësi ligjor shoqërohej në këtë takim me klientin e tij edhe nga gruaja e Erges Xhoxhit dhe bashkëshortja e Dritan Dajtit. Burime zyrtare nga burgjet thanë se i arrestuari Erges Xhoxhi, i cili ra në pranga bashkë me Dritan Dajtin, është lejuar të takohet me dy të afërmet e tij dhe me avokatin ditën e djeshme. Gruaja e Xhoxhit dhe e afërmja e tij, Dorela Dajti, i kanë dorëzuar të burgosurit një sasi ushqimesh dhe janë njohur me gjendjen e tij në paraburgim. Ndërkaq avokati Arben Qeleshi, i cili mbron Erges Xhoxhin dhe Dritan Dajtin, në dosjen e vrasjes së katër policëve në Durrës, ka kërkuar sqarime për ngjarjen nga klienti i tij. Sipas burimeve nga prokuroria mësohet se Erges Xhoxhi, për shkak se ka dalë i fundit nga makina e Dajtit më 7 gusht, ka qenë në një pozicion të afërt me vendin e ngjarjes, çka i ka mundësuar të shohë veprimet e policëve dhe të personit të kërkuar. Burimet nuk bëjnë me dije të dhëna rreth deklarimeve të dhëna prej Erges Xhoxhit. Megjithatë avokati i ka kërkuar atij të dhëna në lidhje me rrethanat në të cilat Dritan Dajti u përplas me armë me katër oficerët e policisë. Disa javë më parë, vetë Dajti në një takim me avokatin e tij ka pohuar se efektivat e policisë ishin të maskuar dhe me armë, çka e kishte bërë të dyshonte se ishin grabitës. Një alibi e tillë është hedhur poshtë nga prokuroria, e cila tha se drejtuesi i skuadrës së policëve Fatos Xhani është prezantuar si punonjës i rendit para se të ndërhynte.