Digjen magazinat, shkak shkëndija elektrike
TIRANË - Tre magazina janë mbuluar nga flakët pasditen e djeshme afër Fabrikës së Miellit, tek ish-stacioni i fundit i Tiranës së Re. Një nga magazinat ishte e mbushur me fishkekzjarrë dhe dëmet në të janë të mëdha. Kreu i Drejtorisë së Zjarrfikësve, Dilaver Laçi, tha për mediat se magazinat janë të përmasave të vogla dhe se 3 zjarrfikëse punuan për të shuar flakët. Dy magazinat e tjera janë me ushqime dhe shiu i dendur ka bërë që fatmirësisht zjarri të mos përhapet shumë. Dyshimet e para janë që flaka të ketë rënë si rezultat i një shkëndije elektrike. Brenda harkut kohor të një muaji, biznese të tëra janë shuar nga flakët. Nuk dihet nëse zjarret janë të qëllimshëm për efekt të konkurrencës apo aksidentalë.
27 Dhjetor 2008